Bitcoin rikuperon humbjet – Optimizmi mbi ETF-të e ringjit pranë 44,000 USD
Bitcoin po tregtohet pranë 44,000 dollarëve edhe në sesionin e sotëm, por fitimet janë kufizuar nga rënie e tregjeve globale të aksioneve gjatë 24-orëve të fundit. Indeksi S&P 500 u mbyll në rënie me 1.4% në sesionin e kaluar, duke ndikuar edhe asetet me risk, ku bën pjesë edhe tregu i kriptomonedhave.
Bitcoin dhe kriptomonedhat e tjera që janë në trend si Solana dhe Avalanche morën një goditje gjatë tregtisë amerikane, pas rënies së tregut të aksioneve, por u ngjitën në sesionin e sotëm europian.
Solana rikuperoi thuajse të gjitha humbjet dhe është në rritje me rreth 15% në 24-orët e fundit. Optimizmi i tregtarëve rreth bitcoin mbeti i fortë, përpara një miratimi të pritshëm të fondit të tregtuar në shkëmbim (ETF) në SHBA, i cili mund të rrisë kërkesën, dhe përgjysmimit të planifikuar për në prill 2024, që historikisht është pasuar nga një rritje e ndjeshme e tregut të kriptomonedhave.
Megjithatë, disa tregtarë vunë në dukje se metrikat aktuale të tregut të bitcoin shfaqën shenja të ftohjes, pas një rritje thuajse 1-mujore, duke sugjeruar një periudhë të shkurtër paqëndrueshmërie përpara mbylljes së vitit.
Ndërkohë, sipas analistëve lançimi në janar i një fondi të tregtuar në shkëmbim në bitcoin (ETF), pritet të përballet fillimisht me një kërkesë të ulët, e cila mund të çojë në një skenar të “shitjes masive”. Kjo mund të rezultojë në paqëndrueshmëri afatshkurtër për bitcoin dhe fokusi mund të zhvendoset drejt ethereum.
Kompania me bazë në Singapor, QCP Capital shkruan në një shënim për klientët e saj se niveli i tavan i rezistencës për bitcoin do të jetë mes 45,000 dhe 48,500 dollarë, ndërsa niveli i poshtëm do të jetë në rreth 36,000 dollarë. QCP Capital shkruan më tej se, ethereum shihet si një opsion i mundshëm dytësor investimi, nëse skenari bazë do të materializohet.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.