Bizneset e bregdetit do të trajtojnë ujërat e ndotur – Nis afati 90 ditor, Balluku: S’do ketë asnjë tolerancë. Gjoba, deri në mbyllje aktiviteti
Të gjithë subjektet që kryejnë aktivitete ekonomike në zonat bregdetare, si dhe në bregun e liqeneve dhe lumenjve, dhe shkarkojnë ujërat e ndotur në ujëra larës duhet të instalojnë impiantet e trajtimit dhe largimit të tyre brenda 3 muajsh.
Gjatë një takimi me kryetarët e bashkive, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj subjekteve që nuk zbatojnë këtë detyrim, që lind nga Akti Normativ, të miratuar nga qeveria në fund të vitit që shkoi.
Ndërkaq, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro kërkoi nga bashkitë që të njoftojnë të gjithë operatorët mbi detyrimet e reja, me qëlim garantimin e një sezoni turistik me ujëra larës pa ndotje.
Detyrimi për instalimin e impianteve të trajtimit dhe largimit të ujërave të ndotur përfshin të gjitha llojet e subjekteve, duke nisur nga strukturat akomoduese, agroturizmat, bujtinat, hotelet, komplekset turistike, baret, restorantet, etj.
Ndërkohë që, sipas të dhënave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në total pranë ujrave larës janë 9000 subjekte. Ndërkaq, Task-Forca, që do të ngrihet për monitrimin e zbatimit të këtyre detyrimeve do të jetë në varësi të titullarit të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës- Kanalizimeve.
Kjo task Forcë do të ketë edhe të drejtën për vendosjen e masave administrative, në rast të konstatimit të shkeljeve. Akti Normativ i ndan subjektet në 3 kategori, në varësi të popullsisë ekuivalente, ndërkohë që masa e gjobave varion sipas kategorisë që i përket subjekti. Vlera e tyre është parashikuar nga 1.5 mln lekë, në 2.65 mln lekë.
Ola Mitre/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.