Bursat europiane vijojnë “qetësinë” – Investitorët presin “Rritjen e Santa Claus”, që ndodh çdo fundvit
Bursat europiane janë hapur me ndryshime të vogla në sesionin e sotëm, pavarësisht se indekset kryesore në Wall Street publikuan fitime të konsiderueshme të enjten. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 po qëndron në rënie të lehtë me 0.1%, ndërsa sektori i teknologjisë kryeson humbjet, në rënie me 1.4%.
Për sa i përket korporatave, Adidas ka rënë me më shumë se 6%, ndërsa Puma ka humbur 4.5% të vlerës, pasi një ditë më parë Nike uli perspektivën e shitjeve dhe njoftoi një program masiv për uljen e kostove.
Pavarësisht luhatjeve në sesionet e fundit, dhjetori ka qenë një muaj mjaft solid për indeksin Stoxx 600, pasi është rritur me 3.3%, pas rritjes me 6.4% në nëntor. Tregtarët po shkojnë drejt pushimit 4-ditor për festat e Krishtlindjeve dhe tregjet në Mbretërinë e Bashkuar mbyllen herët të premten.
Ndërkohë, referuar të dhënave të tjera, Prodhimi i Brendshëm Bruto në Mbretërinë e Bashkuar ra me 0.1% në periudhën korrik-shtator të këtij viti, një rishikim në ulje krahasuar me vlerësimin e mëparshëm. Të dhënat sugjerojnë se ekonomia ishullore është pranë recesionit. Kjo është një tjetër e dhënë që përforcon pikëpamjen se Banka e Anglisë do të ulë interesat në gjysmën e parë të vitit 2024.
Investitorët po presin edhe Indeksin e Çmimeve të Shpenzimeve të konsumit personal në SHBA, një matës kyç i inflacionit për Rezervën Federale. Analistët parashikojnë se ky indeks do të ngadalësohet në 2.3%, që do të ishte rritja më e ngadaltë që nga tremujori i katërt i 2020.
Investitorët presin të shohin nëse do të ndodhë e ashtuquajtura “Rritja e Santa Claus”, që i referohet fitimeve tipike të pesë ditëve të fundit të vitit dhe dy ditëve të para të vitit të ri. Që nga viti 1969, indeksi S&P 500 ka fituar mesatarisht 1.3% të vlerës gjatë kësaj periudhe.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.