Çfarë ndodhi me fasonët që solli reagimin e qeverisë? – Kursi i këmbimit goditi industrinë, ndikoi në punësim
Eksportuesit kanë qenë ndër sektorët më të prekur dhe që kanë pasur dëme të mëdha financiare për shkak të zhvlerësimit të euros gjatë vitit që kaloi, trend i cili vijon edhe aktualisht. Referuar të dhënave nga shoqata “Pro Export Albania”, eksportuesit humbasin afro 9 milionë euro në muaj nga kursi i këmbimit, një situatë e cila vijon që nga muaji Mars dhe nuk po stabilizohet. Si pasojë, mesatarisht janë mbyllur 50 vende punë në ditë, duke ndikuar negativisht në ekonomitë e mijëra familjeve që punësohen në këtë industri.
Për këtë arsye, në shtator të 2023-shit, Zyra Unifikuese e Bizneseve Eksportuese, nisur nga një studim i bërë mbi pasojat në sektor, i ka dërguar një letër zyrtare Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë-së me kërkesa konkrete.
Eksportuesit kanë kërkuar që të merren masa në reduktimin e pagesave në dorë, de-euroizimizimin e ekonomisë, përmes shkurajimit të përdorimt të valutës në transaksione brenda vendit; Përcaktimin e një shumë maksimale që zyrat e këmbimit lejohen të kryejnë, duke kufizuar kryerjen së transaksioneve në vlera të mëdha; si dhe marrje huaje nga qeveria në tregun e brendshëm në mondhën kombëtare.
Ndërsa nga Ministria e Financave, kanë kërkuar të miratohet një buxhet suplementar në formë subvencionit; subvencionim i përkohshëm i pagave dhe sigurimeve shoqërore për punonjësit, incentiva për aplikim të teknologjive të reja si dhe ristrukturim i pagesës së taksave.
Por duke qenë se këto kërkesa nuk u morën parasysh, në muajin Dhjetor, disa shoqata eksportuese dhe organizata të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve janë bërë bashkë për të kërkuar nga qeveria marrjen e masave për këtë situatë.
Por në përgjigje të këtyre kërkesave, përfaqësues të qeverisë janë shprehur se kompanitë në këtë sektor duhet të orientohen në investime drejt prodhimit me cikël të mbyllur. Sektori me material porositësi punëson mbi 75 mijë persona në të gjithë vendin.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.