Çmimet e banesave, në rritje edhe për 2024 – Drejtori i NAREA: Projeksionet janë për shtrenjtim 5-8 për qind
Çmimet e banesave pritet të shënojnë rritje edhe përgjatë këtij viti. Reinaldo Pipiria, drejtor i NAREA thotë se projeksionet janë për një shtesë e cila varion nga 5 deri në 8 për qind mbi çmimin aktual.
Më shumë se 40 mijë transaksione janë regjistruar përgjatë vitit që lamë pas, pjesa më e madhe prej tyre në Tiranë dhe në zonat përgjatë vijës bregdetare. Gati 1/3 e kërkesës për të investuar në pasuri të paluajtshme ka qenë kryesisht nga emigrantët, përfshirë këtu edhe shtetasit e huaj, jo rezident në Shqipëri.
I pyetur nëse ka një periudhë “të artë” për të blerë një banesë apo një apartament, drejtori i NAREA tha se 6 mujori i parë i vitit konsiderohet periudha më e mirë për të investuar, nisur nga fakti që i paraprin sezonit veror dhe mund të shfrytëzohet edhe për t’u dhënë me qera.
Prej më shumë se tre vitesh, çmimet e apartamenteve kanë njohur rritje. Megjithatë, në gjykimin e ekspertëve ka ende zona të cilat ofrojnë një çmim ekonomik, të përballueshëm për xhepat e qytetarëve. Bëhet fjalë për zonat në të cilat kalon Unaza e madhe e Tiranës apo Bulevardi i ri, të cilat shihen me perspektivë zhvillimi.
Ada Hazizolli/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.