Çmimet e reja të referencës dhe zbritja e amortizimit- Ekspertja Kuka shpjegon se si do të ndikojnë në tregun e pasurive të paluajtshme
Me rritjen e çmimeve të referencës do të rriten edhe taksat për qytetarët. Qeveria ka paralajmëruar se pas Tiranës, çmimet e referencës do të rriten edhe për bregdetin, duke i përafruar ato me vlerën reale që kanë sot në treg. Por si do të impaktojë kjo në nivelin e taksimit?
Konkretisht taksa e banesës (që është aktualisht 0.05 për qind), taksa e kalimit të pronësisë (15 për qind) dhe tatimi në burim (15 për qind), llogariten bazuar në çmimet e referencës.
Në këto kushte, pavarësisht se norma tatimore nuk ndryshon, pra mbetet e njejtë, ndryshimi i një komponenti, në këtë rast, rritja e çmimeve për metër katror do të çojë rrjedhimisht në rritje të këtyre tarifave.
E ftuar në emisionin “Box to Box” ekspertja Gladiola Kuka komenton edhe zbritjen me 1 për qind që do të aplikohet për cdo vit amortizim.
Pakënaqësi kanë shprehur edhe ndërtuesit. Sipas tyre, me rritjen e çmimeve për Tiranën dhe bregdetin kostot do të rriten me 100 deri në 300 euro për m2, duke paralajëruar kësisoj një tjetër valë të rritjes së çmimeve të banesave përgjatë muajve në vijim.
Ada Hazizolli/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.