Dita e Verës, mijëra qytetarë mbushin rrugët e Tiranës – Aktivitete të shumta argëtuese dhe produkte lokale
“Dita e verës, prej vitesh është kthyer në një festë traditë edhe për kryeqytetin. Mijëra qytetarë kanë mbushur Bulevardin e Kombit, duke shijuar aktivitetet e organizuara por edhe produktet lokale të zonës.
Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë. Festimet kryhen në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë.
Zbukurimeve me lule të qytetit u kanë dhënë më shumë ngjyra qytetarët, të cilët duke shfrytëzuar ditën e pushimit kanë zgjedhur të festojnë në Tiranë.
Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë eventesh për fëmijë dhe të rritur si dhe ritmet e muzikës i kanë dhënë një atmosferë ndryshe kësaj dite.
Duke qenë se shenja dalluese e këtij festimi janë ballokumet, nuk kishin se si të mungonin stendat e mbushura me ballokume përgjatë bulevardit.
Ndërsa vëmendje kanë marrë edhe punime artizanale të bëra nga duart e vogla të fëmijëve. Organizimi i i eventeve të tilla dhe tërheqja e qytetarëve për të festuar këtë ditë ka një ndikim të rëndësishëm në konsum dhe në ekonominë e Tiranës.
Me një kalendar të ngjarjeve të shumëllojshme, qytetarëve të Tiranës u është dhënë mundësia të marrin pjesë në aktivitete të shumta, duke filluar nga koncerte, ekspozita, përhapje artistike nëpër qytet, deri te aktivitete sportive dhe shfaqje të ndryshme kulturore. Aktivitetet zgjasin 24 orë dhe tek ato mund ta gjejnë veten të gjitha moshat.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.