KKT-ja merr edhe menaxhimin e burimeve ujore – Ndryshime në ligjin e territorit, krijohet Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit
Qeveria ka miratuar ndryshime në ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”. Krijimi i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, një organ në nivel qendror, kompetencat e të cilit do të përfshijnë krahas fushës së planifikimit dhe zhvillimit urban, edhe atë të menaxhimit të burimeve ujore, në kuadër të shqyrtimit të lejeve të zhvillimit apo ndërtimit është një nga ndryshimet kryesore.
Sipas projekligjit, përveç kompetencave aktuale, KKT-së do i shtohen edhe të një sërë kompetencash të tjera.
Më konkretisht, KKTU do të vendosë për përcaktimin e rëndësisë kombëtare të një çështjeje, zone ose objekti në planifikimin e territorit, dhe miratimin e planeve te detajuara për zona të rëndësisë kombëtare, për miratimin e planeve dhe projekteve ndërrajonale dhe kombëtare në fushën e furnizimit me ujë, bujqësisë, urbanistikës, zhvillimit industrial dhe të territorit apo vendosjen e kufizimeve për përdorimin e zonave të përmbytura.
Po ashtu, KKTU do të ketë të drejtë të përcaktojë dhe ndryshojë regjimin e zonave të mbrojtura të shpallura në rastet e pashmangshme dhe kufijtë e tyre, të miratojë hartat e riskut nga përmbytje, etj.
Në relacionin që shoqëronte projektligjin gjatë konsultimit publik thuhej se këto ndryshime vijnë për të përmirësuar procesin e zhvillimit të territorit dhe si rezultat i përvojës së deritanshme me zbatimin e tij.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.