Dollari e mbyll javën në rritje modeste ndaj lekut – Në tregjet ndërkombëtare realizon fitime javore prej rreth 1%
Tregu i brendshëm valutor e ka mbyllur edhe këtë javë me ndryshime të vogla, ndërsa vihet re një forcim i lehtë i dollarit amerikan, në raport me lekun. Forcimi i monedhës amerikane është ndikuar nga të dhënat e publikuara në SHBA, gjatë kësaj jave, që kanë zbehur shanset për uljen e normave të interesit në muajin mars. Sipas agjencisë së këmbimit valutor, Iliria 98, dollari blihet të premten me 94.9 dhe shitet me 95.9 lekë, euro blihet me 103.5 dhe shitet me 104.1 lekë, franga zvicerane blihet me 108.9 dhe shitet me 109.9 lekë, ndërsa paundi britanik blihet me 120.1 dhe shitet me 121.1 lekë.
Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare dollari amerikan pritet të realizojë fitime për të dytën javë me radhë, pas shenjave të elasticitetit të ekonomisë amerikane dhe kujdesit të shfaqur për uljet e normave nga bankierët qendrorë. Tregjet vlerësojnë tashmë rreth 57% shanse për uljen e interesave në muajin mars, nga rreth 75% që ishin këto mundësi në fillim të javës. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, ka fituar rreth 1% të vlerës gjatë kësaj jave dhe po qëndron në rreth 103.4. Në anën tjetër, euro ka rënë me 0.7% gjatë kësaj jave dhe po tregtohet në rreth 1.088 dollarë, ndërsa paundi ka rënë lehtë me 0.3%, pranë 1.27 dollarëve. Të dhënat e publikuara në SHBA treguan se tregu i punës vijon të jetë i fortë, me aplikimet javore për përfitimin e asistencës së papunësisë që ranë në nivelin më të ulët në 1 vit e gjysmë. Edhe disa të dhëna të tjera të publikuara gjatë javës treguan se shitjet me pakicë gjatë dhjetorit u rritën më shumë se parashikimet e tregjeve. Megjithatë, Guvernatori i Rezervës Federale, Christopher Waller, tha të martën se fuqia e ekonomisë amerikane u jep politikëbërësve fleksibilitet për të lëvizur “me kujdes dhe ngadalë” me uljen e interesave. Komente të ngjashme erdhën edhe nga zyrtarët e Bankës Qendrore Europiane, të cilët sinjalizuan se ulja e interesave do të varet nga ecuria e inflacionit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.