Njohje pensioni për mbi 3 mijë shqiptarë në Kroaci – Me cilat shtete ka marrëveshje Shqipëria për bashkimin e periudhave kontributive?
Mbi 3000 shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Kroaci, do të përfitojnë njohje të periudhave kontributive për efekt pensioni, por jo vetëm. Ratifikimi i Marrëveshjes me Republikën e Kroacisë, e cila është depozituar për miratim në komisionet parlamentare, konsiston në ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të personave të punësuar, të vetëpunësuarit dhe punëdhënësit. Gjithashtu, rregullat koordinuese garantojnë që personat që lëvizin nga një vend në tjetrin dhe personat në varësi të tyre të ruajnë të drejtat e fituara apo që janë duke i fituar. Bashkimi i periudhave të siguruara, sipas legjislacioneve kombëtare të ndryshme, merret në konsideratë, për të siguruar të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e tyre.
Marrëveshja garanton për qytetarët shqiptarë të cilët kanë punuar në Shqipëri dhe më pas janë zhvendosur në Kroaci, sigurimin e detyrueshëm shëndetësor dhe kujdesin shëndetësor, duke përfshirë edhe sigurimin e barrëlindjes dhe sigurimin e dëmtimeve të shkaktuara në punë për sëmundje profesionale; pensionin e pleqërisë, përfshirë sigurimin i dëmtimeve të shkaktuara në punë për sëmundje profesionale; përfitimet e papunësisë. Aktualisht, vendi ynë ka marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me disa shtete, si Turqi, Belgjikë, Hungari, Luksemburg, Maqedoni, Çeki, Gjermani, Austri, Kosovë dhe Kanada.
Ndërkohë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore është në bisedime për njohjen e pensioneve me dy shtete shumë të rëndësishme për shkak të numrit të lartë të emigrantëve, siç është Italia dhe Greqia, ku përfitues në të dy vendet janë afro 900 mijë emigrantë.
Me Italinë deri më tani është është dakordësuar marrëveshja teknike për njohjen e pensioneve të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Itali dhe të shtetasve italianë që jetojnë në Shqipëri.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.