Dollari realizon fitime modeste – Investitorët, ende të paqartë se cila parti do të kontrollojë Kongresin
Dollari amerikan po qëndron në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, pasi rezultatet paraprake të zgjedhjeve në SHBA sugjerojnë se republikanët nuk do të arrijnë fitoren e pritshme në Kongres. Tashmë, investitorët do të fokusohen te të dhënat mbi inflacionin që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme në SHBA, që do të japin një panoramë më të qartë mbi politikat monetare që do të ndjekë Rezerva Federale.
Republikanët pritet të realizojnë një fitore modeste në zgjedhjet e mesmandatit, ndërsa demokratët po performojnë më shumë se parashikimet. Dollari ka rënë lehtë në sesionet e fundit, duke u tërhequr nga nivelet më të larta rekord, pasi investitorët kanë tërhequr fitimet. Monedha e përbashkët europiane po tregtohet pranë nivelit të paritetit, ndërsa paundi britanik po qëndron në rënie të lehtë, pranë 1.14 dollarëve. Investitorët po presin planin ekonomik të qeverisë së re në Britaninë e Madhe, që do të prezantohet më 17 nëntor.
Në tregun e kriptomonedhave, në fokus të investitorëve kanë qenë lajmet për bashkimin e dy platformave më të mëdha, që kanë rikthyer shqetësimet për stabilitetin e këtij tregu.
Por, Binance njoftoi se është tërhequr nga blerja e platformës tjetër, FTX, për shkak të mungesës së një plani të mirëfilltë të blerjes. Tashmë, FTX që vlerësohej rreth 32 miliardë dollarë, është pranë falimentimit. Për rrjedhojë, bitcoin ka rënë drejt 16,600 dollarëve, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1180 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.