Dollari realizon fitime modeste javore – Mbështetet nga bindja e investitorëve se FED do të rrisë interesat
Dollari pritet të realizojë fitime e para javore në më shumë se një muaj, në mbyllje të sesionit të sotëm, pasi janë rritur mundësitë që Rezerva Federale të vijojë me politikën monetare shtrënguese edhe në takimin e majit.
Në anën tjetër, fitimet për monedhën e gjelbër janë kufizuar nga shenjat për ngadalësimin e ekonomisë. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, pritet të publikojë fitime javore prej rreth 0.2%, pas pesë javësh me radhë në rënie. Analistët janë të bindur se, Banka Qendrore Amerikane do të rrisë edhe me 25 pikë përqindje normën bazë të interesit në takimin e 3 majit.
Megjithatë, fitimet e dollarit janë kufizuar nga të dhënat e publikuara në SHBA, që treguan se numri i amerikanëve që aplikuan për përfitimin e asistencës së papunësisë u rrit lehtë gjatë javës së kaluar, e dhënë që sugjeron se tregu i punës po ngadalësohet. Ndërkohë, në tregun e kriptomonedhave, bitcoin ka vijuar tendencën në rënie dhe duke humbur rreth 1 mijë dollarë në 24 orët e fundit. Kriptomonedha më e madhe në botë po tregtohet poshtë 28 mijë dollarëve, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1910 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.