Tregjet europiane, në qëndrueshmëri – Fokusi, te fitimet tremujore të korporatave dhe te bankat qendrore
Bursat europiane po qëndrojnë në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët vijojnë të jenë të fokusuar te fitimet tremujore të korporatave. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rritje të lehtë me 0.1%, ndërsa sektori minerar dhe i automjeteve kryeson humbjet, në rënie me 1.9 dhe 0.7% respektivisht.
Edhe në sesionin e kaluar, sektori i automjeteve ishte performuesi më i dobët, në rënie me 3.7%, pasi fitimet neto të Teslas shënuan rënie, në tremujorin e parë të vitit. Në anën tjetër, kompania gjermane e prodhimit të softuerëve, SAP, raportoi një rritje të ndjeshme të të ardhurave dhe fitimit operativ. Referuar zhvillimeve të tjera, shitjet me pakicë në Mbretërinë e Bashkuar ranë me 0.9%, ndërsa analistët parashikonin një rënie me 0.5%.
Fokusi i tregjeve është i përqëndruar edhe te politikat monetare që do të ndjekin bankat qendrore. Për Rezervën Federale dhe Bankën e Anglisë pritshmëritë janë të mëdha që të ndërmarrin edhe një tjetër rritje të interesave. Ndërsa për Bankën Qendrore Europiane, analistët presin që të ketë edhe një tjetër ndërhyrje përtej majit, sepse inflacioni është shumë larg objektivit prej 2%.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.