Eficienca e energjisë, interes i lartë në Kosovë – Përfundon vlerësimi i aplikimeve, fillojnë disbursimet e para
Qytetarët në Kosovë kanë shprehur interes të lartë për programet e subvencionimit të eficiencës së energjisë në banesat e tyre. Nga data 8 deri më 20 gusht 2023, përmes platformës e-Kosova, Fondi për Eficiencë të Energjisë ka pranuar 3321 aplikime, dhe pas shqyrtimit nga komisioni vlerësues, 2150 aplikantë kanë marrë para-aprovimin për fillimin e implementimit të masave të eficiencës së energjisë.
Këta aplikantë kanë pranuar “Letrën e Para-Aprovimit” dhe vërtetimin për lirim nga TVSH për blerjen e materialeve dhe kryerjen e punimeve në shtëpitë e tyre. Komunat me numrin më të lartë të përfituesve janë: Prishtina, Podujeva, Peja, Ferizaj dhe Vushtrria.
Nga numri total i aplikimeve, janë anuluar 161 prej tyre, prej të cilave 142 për arsye se nuk i kanë plotësuar kriteret e thirrjes publike dhe 19 aplikantë kanë tërhequr aplikimin e tyre. Ndërkaq, 1010 aplikime pa raport të audituesit do të shqyrtohen nëse mbetet buxhet në dispozicion.
Fondi prej 10 milionë euro, i destinuar për këtë projekt, është mundësuar nga një donacion i Bashkimit Europian. Përfituesit do të subvencionohen deri në 45% të shumës së investimit dhe deri në 50% për pronaret gra, ose për shtëpitë në bashkëpronësi të bashkëshortëve, pa kaluar shuma maksimale prej 5500 euro.
Përfituesit janë zgjedhur duke u bazuar në kriteret e përcaktuara nga thirrja publike, duke përfshirë nevojën për shtëpi të banueshme, konsum të energjisë elektrike prej së paku 250kWh në muaj në 21 nga 24 muajt e fundit, si dhe përmbushjen e kritereve teknike dhe izolimit termik.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.