Ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet me 3.6% – Instituti i Vjenës: Mali i Zi dhe Shqipëria, projeksionet më optimiste në Ballkan
Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Vjenës në edicionin e dimrit të vitit 2024, për situatën ekonomike dhe perspektivat, konkludojmë se treguesit kryesorë makroekonomikë si norma e inflacionit, norma e papunësisë dhe Produkti i Brendshëm Bruto do të jenë sfidues për vendet e rajonit në 3-vjeçarin e ardhshëm.
Në terma nominalë themi se Produkti i Brendshëm Bruto ( GDP) pritet të zgjerohet në vitin 2024 me 3.6% ndërsa inflacioni premton shifra optimiste pasi do të ketë një rënie nga 4.8% në 3%. Inflacioni parashikohet të jetë në nivele të kënaqshme gjatë gjithë 3-vjeçarit jo vetëm gjatë vitit aktual. Përsa i përket normës së papunësisë themi se edhe ky tregues do të ndjekë një kurbë rënëse dhe pritet që në vitin 2024 të jetë 9.5% nga 10% që ishte në vitin 2023.
Por çfarë thonë shifrat përsa i përket projeksioneve në nivel rajonal?
Sipas të dhënave të raportit për projeksionet e rritjes ekonomike në vendet e rajonit Shqipëria pritet të ketë rritjen ekonomike më të lartë, pas Malit të Zi . Ekonomia në Malin e Zi pritet të zgjerohet me 4% ndërsa ekonomia e vendit tonë pritet të ketë një zgjerim me 3.6% ndërsa ekonomia e Kosovës pritet të zgjerohet me 3.5% në vitin 2024. Në vendet e tjera të rajonit si Bosnje Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia pritet që kjo rritje të jetë me 2%, 2.2% dhe 2.4% përkatësisht.
“Scan Intel” ka analizuar të dhënat edhe për pritshmëritë që lidhen me normën e inflacionit dhe atë të papunësisë për vendet e rajonit. Në një krahasim me vendet e tjera Mali i Zi, Serbia dhe Kosova pritet të kenë rritjet më të larta të normës së inflacionit, ky zgjerim parashikohet të jetë përkatësisht me 5%, 4.5% dhe 4% ndërsa Shqipëria pritet të ketë një rënie të këtij treguesi dhe pritet të jetë në nivel optimal, 3% në vitin 2024.Kujtojmë që norma e inflacionit në vitin 2023 përllogaritej në 4.8%.
Sipas Institutit tw Vienës, norma e papunësisë në Shqipëri në vitin 2024 pritet të jetë 0.5% më e ulët se në vitin 2023, ose 9.5%. Në të gjitha vendet e rajonit përveç Serbisë kjo normë do të luhatet nga 10% në 13.2%.
Armela Duka /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.