Kurse për inteligjencë artificiale dhe kodim – Financim 50-100% të kostos për të rinjtë e interesuar
Ndërsa zhvillimet teknologjike po ecin me hapa të vrullshëm, edhe për gjatë vitit 2024, qeveria do të mbështesë financiarisht të rinjtë që zgjedhin të bëjnë kurse të formimit profesional në degë që kërkon tregu i punës së fundmi. Përmes një udhëzimi të botuar në Fletoren Zyrtare të hartuar nga Ministria e Financave, përcaktohet se një pjesë e fondeve të programit të nxitjes së punësimit që zbatohen nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive do të shkojnë për këtë qëllim.
Konkretisht, mbështetja shkon për fushën e “Programimit”, ku përfshihen: kodimi, programimi kompjuterik, zhvillimi i aplikacioneve, robotika, elektronika, shkenca e të dhënave, siguria kibernetike, inteligjenca artificiale, testimi i software-ve, dizajni i software-ve, dizajni i faqeve web, dizajni i përvojës së përdoruesit, dizajni i ndërfaqes së përdoruesit, mësimi makinerik/automatik, realiteti i shtuar, realiteti virtual ose algoritmet kompjuterike apo fusha të ngjashme të tjera.
Program i Kodimit u prezantua për herë të parë në fillim të vitit të kaluar, ku përmes subvencionimit të kostove të këtyre kurseve të arsimit profesional në IT, synohej që tu vihej në ndihmë të gjithë atyre që duan të investojnë dhe që duan të ndryshojnë karrierën e tyre për tu aftësuar në Kodim por edhe në elementë të tjetër të IT.
Subvencioni i dhënë nga buxheti i shtetit është në 50% për aplikant, ndërsa për punëkërkues të papunë të regjistruar shkon deri në 100%. Vitin e kaluar interesi për të marrë pjesë në këtë program ka qenë i lartë, ku kanë aplikuar mbi 3000 të rinj.
Aplikimet për regjistrimin në programin e formimit profesional për institucionet publike dhe private nga data 1 Shkurt do të mund të bëhen on line përmes portalit e-albania.
Sipas të dhënave zyrtare, sektori i IT zë 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në Shqipëri janë gjithsej rreth 13 mijë të punësuar në këtë sektor për 3200 kompani. Në 5 vitet e fundit numri i të punësuarve në këtë sektor rezulton të jetë rritur me 210%.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.