Elon Musk përdor drogë! – Drejtuesit e Tesla dhe Space X akuzojnë miliarderin
Kokainë, ekstazi, kërpudha halucinogjene dhe ketaminë. Këto substanca duhet të jenë arsyet e sjelljes ekstravagante të Elon Musk të zbuluara nga Wall Street Journal. Disa drejtues dhe anëtarë të bordit të drejtorëve të kompanive të manjatit – nga Tesla në SpaceX – janë të shqetësuar se përdorimi i drogës nga manjati mund të ketë pasoja jo vetëm në shëndetin e tij personal, por gjithashtu për gjashtë kompanitë dhe miliarda asete që ai mbikëqyr. Sipas tyre Musk është një pjesë integrale e vlerës së kompanive të tij dhe mund të ndikojë në besimin e investitorëve, duke vënë në rrezik dhjetëra mijëra vende pune.
Gazeta raporton dëshmi të drejtpërdrejta të njerëzve që pretendojnë se e kanë parë Musk të konsumojë drogë si LSD, kokainë, ekstazi dhe kërpudha psikodelike gjatë festave private. Këto episode nuk do të kufizoheshin vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ndodhin në pjesë të ndryshme të botës.
Pjesëmarrësve në këto festa iu kërkohet të nënshkruajnë marrëveshje konfidencialiteti dhe të fikin telefonat e tyre celularë pas hyrjes, në mënyrë që të shmangin regjistrimin e videove ose fotografitë komprometuese. Në veçanti, bëhet fjalë për një event në Los Angeles, në vitin 2018, në të cilën Musk dyshohet se ka marrë “disa tableta”, dhe një në 2019-ën, në Meksikë, gjatë së cilës ai “festoi” me kërpudha.
Një nga aspektet më të diskutueshme është përdorimi i ketaminës, një substancë e njohur për efektet e saj psikedelike, për të cilën Musk pretendon se ka një recetë mjekësore dhe e përdor për të luftuar depresionin. Megjithatë, konsumi i tij mund të përbëjë një shkelje të politikave federale, duke rrezikuar miliarda dollarët e kontratave qeveritare të SpaceX.
Kontratat federale, në fakt, i detyrojnë kompanitë të respektojnë ‘Aktin e Vendit të Punës Pa Drogë’, një rregullore e vitit 1988 sipas së cilës ata që fitojnë një kontratë nga qeveria federale ose marrin grante federale duhet të sigurojnë mjedise pune ku asnjeri nga të përfshirët nuk konsumon drogë, si parakusht. Çdo shkelje e ligjit, shkruan Wall Street Journal, mund ‘të hedhë në erë’ kontratat e SpaceX.
Jo vetëm Musk. Gazeta zbulon, se Steve Jurvetson, anëtar aktual i bordit të drejtorëve të SpaceX, gjithashtu konsumon droga të paligjshme me manjatin. Ky është një element që ngre shqetësime të mëtejshme midis menaxherëve të kompanive të sipërmarrësit afrikano-jugor.
“Çuditë” e Elon Musk, siç përshkruhet nga WSJ, përfshijnë opinione të kundërta, fjalime të pafiltruara dhe sjellje provokuese. Shumë i konsiderojnë këto karakteristika një shprehje të krijimtarisë së miliarderit ose si rezultat i problemeve të shëndetit mendor, stresit apo mungesës së gjumit. Megjithatë, sipas gazetës financiare, ka një shqetësim në rritje midis drejtuesve të kompanisë se një element tjetër, përdorimi i drogës, mund të ndikojë në sjelljen e tij.
Doeina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.