Emiratet e Bashkuara Arabe përgatisin rezervat – Shtohet prodhimi i naftës në rast të një krize të furnizimit global
Liderët e OPEC, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, janë të gatshëm të bëjnë një rritje të konsiderueshme të prodhimit të naftës në rast se do të ketë një krizë të madhe të furnizimit global këtë dimër.
Lajmi u konfirmua për agjencinë e lajmeve Reuters nga burime që janë në dijeni të vendimeve të eksportuesve kryesorë të Gjirit.
Kur OPEC + vendosi të rrisë prodhimin e naftës me vetëm 100 mijë fuçi në ditë, theu një tabu me një referencë të rrallë për kapacitetin e prodhimit rezervë të grupit.
Në një deklaratë për shtyp, u fol për disponueshmëri të kufizuar të kapacitetit rezervë, duke theksuar nevojën për ta mbajtur rezervë në rast të ndërprerjeve serioze të furnizimit.
Në pamje të parë, duket një konfirmim se lideri i OPEC-ut, Arabia Saudite, nuk ka pothuajse asnjë kufi për rritjen e prodhimit, siç deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron në një bisedë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, muajin e kaluar.
Tre burime, të cilët folën në kushte anonimiteti, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e temës, thanë se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe mund të pomponin “dukshëm më shumë”, por do ta bënin këtë vetëm nëse kriza e furnizimit përkeqësohej.
Me mungesën e mundshme të gazit në Europë këtë dimër dhe me një tavan të mundshëm çmimi për shitjet e naftës ruse në fund të vitit, liderët e OPEC nuk mund të hedhin në treg çdo fuçi, të paktën për momentin.
Burimet nuk përcaktuan asnjë rritje, por thanë se Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe disa anëtarë të tjerë të OPEC kanë kapacitet rezervë rreth 2.0 – 2.7 milionë fuçi në ditë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.