Energjia në Shqipëri, sektori që ka ngjallur interesin e kompanive amerikane – Mesazhi i Blinken: Ka potencial të madh për diversifikimin e burimeve
Vizita e sekretarit të Shtetit Amerikan Antony Blinken në Shqipëri, ishte një vizitë ku u dhanë mesazhe të forta rikonfirmuese për partneritetin e dy vendeve në fushën e sigurisë. Por nuk munguan as mesazhet e angazhimet për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Si kryeministri shqiptar Edi Rama, ashtu edhe Sekretari i Shtetit Amerikan Antony Blinken konfirmuan se në takim është biseduar për bashkëpunim në një sektor shumë kritik për botën aktualisht, siç është sektori i energjisë. Kryeministri shqiptar konfirmoi se administrata amerikane është e angazhuar për të mbështetur projektet e energjisë së gjelbër në Shqipëri dhe ato të turizmit.
“Kemi diskutuar edhe për dimensionet e bashkëpunimit tonë bilateral, i cili është jo vetëm një bashkëpunim strategjik i pandërprerë në fushën e sigurisë, por është edhe një bashkëpunim që po merr gjithmonë e më shumë një përmasë edhe ekonomike dhe për ne është e padiskutueshme nevoja dhe rëndësia e investimeve amerikane në Shqipëri, si një dëshmi, jo vetëm e kësaj marrëdhënieje, por edhe e vetëdijes për potencialin e madh që Shqipëria ka në sektorë shumë kritikë për botën e sotme, në këtë rast për rajonin tonë sot, për sektorin e energjisë.
Administrata amerikanë është shumë e angazhuar për të përballuar sfidën e ndryshimeve klimaterike dhe është shumë e angazhuar për të mbështetur të gjitha projektet dhe programet e energjisë së gjelbër dhe ne mendojmë që në këtë aspekt, kompanitë amerikane janë një partner i dëshiruar”, tha Rama.
Ndërkohë, Sekretari i Shtetit Amerikan Antony Blinken pas konfirmoi trefishimin e investimeve amerikane në Shqipëri që prej vitit 2019, konfirmoi gjithashtu se për kompanitë amerikane, një prej sektorëve që ka ngjallur interes është ai i energjisë së rinovueshme.
“Diskutuam për mënyrat për të forcuar më tej tregtinë dhe investimet tona dypalëshe, veçanërisht është e rëndësishme të theksojmë se janë trefishuar që nga 2019 investimet e SHBA në Shqipëri dhe kjo do të vazhdojë dhe klima e biznesit do të përmirësohet.
Dhe në fakt ne shikojmë se si ka potenciale të mëdha për të diversifikuar burimet shqiptare të energjisë për të ndihmuar gjithashtu planetin tonë të përbashkët dhe për të krijuar një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse për të gjithë, përmes ndihmës në energjinë hidrike, eolike dhe diellore” deklaroi Blinken.
Sektori i energjisë rezulton të jetë një sektor që po tërheq më shumti kompani të njohura ndërkombëtare. Vitet e fundit, në Shqipëri kanë ardhur për të investuar në projekte të ndryshme të energjisë diellore, ujore e të erës apo edhe për burimet e tjera natyrore, gjigandë globale të këtij sektori si Bechtel, Voltalia, Eni, Shell apo Statkraft.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.