Analiza Postuar më 5 Qershor 2026, 11:37

Rritje minimale e kostove të prodhimit/ Indeksi nuk sinjalizon presione të forta inflacioniste

Nga Scan TV

Rritje minimale e kostove të prodhimit/ Indeksi nuk sinjalizon presione

Kostot e prodhimit në ekonomi kanë shënuar një rritje shumë të lehtë në tremujorin e parë të vitit 2026. Sipas të dhënave të INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit arriti në 129.7 pikë, duke u rritur me vetëm 0.02% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja më e lartë vjetore u regjistrua në industrinë përpunuese, me 0.4%, ndërsa sektori i furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbetjeve shënoi një rritje prej 0.3%. Në të kundërt, sektori i energjisë elektrike, gazit dhe avullit pësoi ulje të çmimeve me 0.9%.

Në tregun vendas, kostot e prodhimit u rritën me 0.3% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, ndërsa për eksportet u regjistrua një ulje prej 0.5%, çka tregon se prodhuesit shqiptarë kanë hasur më pak presion çmimesh në mallrat e destinuara për tregjet e huaja.

Edhe krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2025, ndryshimet mbeten të kufizuara. Indeksi i përgjithshëm u rrit me 0.1%, ndërsa brenda industrisë përpunuese rritjet më të mëdha u vunë re në prodhimin e drurit dhe nënprodukteve të tij, prodhimin e pijeve, shtypshkrimin dhe prodhimin e produkteve të kauçukut dhe plastikës, me nga 1.2% secili aktivitet.

Nga ana tjetër, uljet më të ndjeshme u regjistruan në prodhimin e pajisjeve elektrike me 0.9% dhe në metalurgji me 0.6%, ndërsa sektori energjetik vijoi të shfaqë tendencë rënëse.

Në tërësi, të dhënat tregojnë se kostot e prodhimit mbeten pothuajse të pandryshuara në fillim të vitit, duke mos sinjalizuar për momentin presione të forta për rritje të çmimeve te konsumatori final. Megjithatë, zhvillimet në industrinë përpunuese mbeten faktori kryesor që mund të ndikojë në ecurinë e çmimeve gjatë muajve në vijim.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat