EUR/CHF, në nivelin më të ulët në 9 vite – Rriten shanset që BQE të ulë normat e interesit në takimin e marsit
Euro po këmbehet e qëndrueshme përballë dollarit amerikan, në sesionin e sotëm, por në raport me frangën zvicerane ka prekur nivelin më të ulët në 9 vitet e fundit. Gjatë kësaj jave, euro është gjendur nën presion për shkak të rritjes së basteve se Banka Qendrore Europiane do të ulë normat e interesit në takimin e marsit të vitit të ardhshëm.
Një ndër politikëbërëset më me ndikim të Bankës Qendrore Europiane, Isabel Schnabel deklaroi gjatë kësaj jave se një rritje e mëtejshme e normave të interesit nuk është në tavolinën e diskutimeve, për shkak të rënies drastike të inflacionit, duke rritur pritshmëritë për uljen e normave të interesit. Për këtë arsye, euro ka humbur rreth 1% të vlerës përballë dollarit amerikan, gjatë kësaj jave. Në anën tjetër, euro ka zbritur pranë 0.94 frangave, niveli më i ulët që nga viti 2015, kur Banka Kombëtare e Zvicrës hoqi kufirin prej 1.2 të këmbimit të këtyre monedhave.
Por, rritja e frangës mund ta detyrojë bankën qendrore të konsiderojë rifillimin e ndërhyrjeve në tregun e monedhave për të dobësuar frangën, e cila konsiderohet një monedhë e sigurt në periudha trazirash.
Ndërkohë, jeni japonez po realizon fitimet më të mëdha ditore në pothuajse një vit përballë dollarit, pasi autoritetet monetare japoneze sinjalizuan ndryshimin e kahut të politikës monetare. Guvernatori i Bankës së Japonisë, Kazuo Ueda, tha të enjten se banka qendrore ka disa opsione mbi të cilat duhet të synojë normat e interesit, pas t’i japë fund normave negative të interesit. Tregjet e morën këtë deklaratë si një shenjë të mundshme se ndryshimi i politikës monetare mund të jetë i pashmangshëm.
Për këtë arsye, dollari ka humbur rreth 1.5% të vlerës në raport me jenin, vetëm gjatë sesionit të sotëm. Ndër zhvillimet e tjera, të dhënat e publikuara gjatë kësaj jave sugjerojnë se tregu i punës në SHBA po ngadalësohet, por nuk evidentohet ndonjë dobësi materiale. Investitorët po presin të dhënat zyrtare që publikohet të premten.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.