Nafta bie me 10% brenda 1 jave – Çmimet, nën presion nga ngadalësimi i kërkesës në Kinë dhe SHBA
Nafta po qëndron në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, pas humbjeve të konsiderueshme të realizuara një ditë më parë, kur preku nivelin më të ulët në 6 muajt e fundit. Çmimet janë gjendur nën presion për shkak të ngadalësimit të kërkesës në SHBA dhe Kinë, dy ekonomitë më të mëdha në botë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet poshtë 75 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet poshtë 70 dollarëve për fuçi.
Në sesionin e kaluar, tregu u trondit nga të dhënat që treguan se prodhimi në SHBA mbetet pranë niveleve rekord. Rezervat e benzinës në SHBA u rritën me 5.4 milionë fuçi javën e kaluar, në totalin e 223.6 milionë fuçive, treguan të dhënat zyrtare nga Administrata për Informimin mbi Energjinë, një shenjë që sinjalizon se kërkesa po ngadalësohet. Analistët parashikonin një rritje prej 1 milionë fuçi. Gjithashtu, edhe shqetësimet për ngadalësimin e ekonomisë së Kinës kanë ushtuar presion mbi çmimet.
Të dhënat e doganave treguan se importet e naftës bruto në nëntor ranë me 9%, krahasuar me një vit më parë, pasi rezervat e larta, treguesit e dobët ekonomikë dhe ngadalësimi i porosive nga rafineritë e pavarura dobësuan kërkesën.
Çmimet e naftës kanë rënë me rreth 10% që nga e enjtja e kaluar, kur Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët e tjerë njoftuan uljen vullnetare të prodhimit me 2.2 milionë fuçi në ditë, për tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.
Ndër zhvillimet e tjera, presidenti rus, Vladimir Putin dhe princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman u takuan për të diskutuar bashkëpunimin e mëtejshëm në tregun e naftës si anëtarë të OPEC+. Rusia është zotuar të publikojë më shumë të dhëna rreth vëllimit të naftës së përpunuar dhe eksporteve të saj, pasi OPEC+ i kërkoi Moskës më shumë transparencë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.