Fasonët “zhyten” në krizë të thellë – 8 kompani po “shuhen”. Rama: Ndryshoni rregullat e lojës
Zhvlerësimi i euros e ka futur industrinë me material porositësi në një krizë të thellë. Situata me të cilën po përballen fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe lëkurës ka filluar që në muajin Mars të 2023 dhe sërish nuk ka ndryshuar. Nga ana tjetër mbështetja e qeverisë për sektorin ka qenë e papërfillshme, duke u pasuar në mbyllje masive të vendeve të punës me një mesatare prej 50 punonjësish në ditë. Sipas të dhënave të gjeneruara nga situate e biznesit të manifakturës aktualisht, e bërë prezente nga shoqata, janë afro 840 punonjës që janë hequr nga puna nga kompani të ndryshme dhe disa prej tyre janë mbyllur, janë drejt mbylljes, apo po spostojnë aktivitetin në Tunizi apo Egjipt. Por pavarësisht humbjeve monetare, shkurtimit të vendeve të punës dhe humbjes së terreni në tregje të fuqishme si Gjermania, Italia apo Spanja, dhe kërkesave të sektorit kundrejt qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për marrje masash, nuk ka pasur reagim konkret nga institucionet kompetente. Së fundmi, kryeministri Edi Rama, u shpreh se situate në sektor nuk lidhet vetëm më forcimin e lekut, por sipas tij, nuk është zgjidhje dhënia e subvencioneve, por që kompanitë të ndryshojnë rregullat e lojës.
“Kjo ditë nuk lidhet thjesht me euron. Është gabim. Është qasje komplet e gabuar ta shohësh këtë si një ditë që e solli forcimi i lekut dhe situata e re që kjo ka krijuar me euron. Jo! Kjo ditë do të vinte sepse koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues në treg ka vdekur prej kohësh. E kush e ka kuptuar prej kohësh që ajo kohë ka vdekur, në atë industri ka marrë masat për t’u adaptuar. Kush nuk e ka kuptuar apo kush nuk i ka marrë masat për t’u adaptuar, sot e ka të pamundur të mbijetojë. Në këto kushte, t’i kërkosh qeverisë të të japë serume, është gabim. Pse? Sepse nuk ka serum që të shpëton dhe nga ana tjetër, qeveria nuk mund të përdorë taksat për të zgjatur agoninë e një organizmi që nuk e mban dot, nuk e kthen dot më në jetë. Është një vdekje klinike e sigurtë, por nuk është pa zgjidhje as për sipërmarrësit, as për personat. Zgjidhja është të adaptohesh! Të ndryshosh lojën! Të qasesh me qartësi dhe me forca të reja në një treg që është tjetër. Mjafton të shikosh ata që e kanë bërë këtë gjë, se fatmirësisht sot jemi në kushtet kur mund t’i lidhim fjalët me shembujt, pra nuk është diçka që e kemi ne të diskutuar teorikisht. Dhe nuk është as diçka që ne e kemi parë në vende të tjera dhe po themi hajdeni bëjeni dhe ju këtu. Jo! Është diçka që këtu ka aktorë të kësaj industrie që e kanë bërë dhe që janë sot konkurrues”, u shpreh Rama.
Deri më tani vetëm sektori me material porositësi punësonte mbi 75 mijë persona.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.