Tregu i brendshëm valutor e nis javën në qetësi – Në tregjet ndërkombëtare, baste se FED do të ulë interesat në mars
Tregu i brendshëm valutor e ka nisur edhe këtë javë në qëndrueshmëri dhe duket se euro ka gjetur një stabilitet të ri, në intervalin nga 103.5 deri në 104.5 lekë. Në anën tjetër, dollari amerikan është dobësuar lehtë në raport me lekun, si një reflektim i dobësimit në tregjet ndërkombëtare përballë euros. Sipas agjencisë së këmbimit valutor, Iliria 98, dollari blihet me 94.5 dhe shitet me 95.4 lekë, euro blihet me 103.7 dhe shitet me 104.4 lekë, franga zvicerane blihet me 110.4 dhe shitet me 111.4 lekë, ndërsa paundi britanik blihet me 120.2 dhe shitet me 121.2 lekë.
Ndërkohë, edhe në tregjet ndërkombëtare java ka nisur në qëndrueshmëri, ndërsa investitorët rikthyen bastet e tyre se Rezerva Federale do të ulë normat e interesit në muajin mars. Ndërkohë, juani kinez ra në nivelin më të ulët në 1 muaj përballë dollarit, pasi Banka Qendrore e Kinës befasoi tregjet duke mbajtur të pandryshuar normën afatmesme të interesit. Gjithashtu, investitorët po presin disa të dhëna ekonomike për Kinën, që publikohen të mërkurën, si Produkti i Brendshëm Bruto i tremujorit të katërt, prodhimi industrial për dhjetorin, shitjet me pakicë dhe shkalla e papunësisë, që ka të ngjarë të japin qartësi të mëtejshme mbi perspektivën për ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Ndërsa në Europë, tregtarët po presin të dhënat e rishikuara mbi inflacionin në Mbretërinë e Bashkuar, pasi fokusi i tregut mbetet i te koha se kur bankat qendrore kryesore globale do të fillojnë të lehtësojnë normat e interesit, këtë vit. Paundi po këmbehet në rreth 1.2730 dollarë, pranë nivelit më të lartë në 2 javët e fundit. Euro po këmbehet në rreth 1.0960 dollarë, ndërsa po tenton të kalojë nivelin teknik prej 1.1, në raport me dollarin. Bastet për uljen e interesave nga Rezerva Federale në mars u rritën të premten, pasi të dhënat treguan se çmimet e prodhimit në SHBA ranë papritur në dhjetor, duke ulur presionet inflacioniste. Tregjet vlerësojnë tashmë 78% shanse që Rezerva Federale të ulë normat e interesit në takimin e marsit, nga 68% që ishin javën e kaluar.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.