FMN, optimist për rritjen ekonomike globale – “Parashikohet një lehtësim më i shpejtë i inflacionit”
Fondi Monetar Ndërkombëtar e ngriti më lart parashikimin e tij për rritjen ekonomike globale, duke përmirësuar perspektivën si për Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe për Kinën – dy ekonomitë më të mëdha në botë – dhe duke përmendur lehtësimin më të shpejtë se sa pritej të inflacionit.
Kryeekonomisti i FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas, u shpreh se Perspektiva Ekonomike Botërore e përditësuar e huadhënësit global tregoi se një ‘ulje e butë’ ishte në horizont, por rritja e përgjithshme dhe tregtia globale mbetën ende më të ulëta se mesatarja historike.
Sipas tij ekonomia globale vazhdon të shfaqë një elasticitet të jashtëzakonshëm, me inflacionin në rënie të vazhdueshme dhe rritjen e qëndrueshme. Ai theksoi se ekonomia globale është shumë larg nga një skenar recesioni. Por Gourinchas paralajmëroi se baza e zgjerimit ishte e ngadaltë dhe rreziqet mbeten, duke përfshirë tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe sulmet në Detin e Kuq që mund të ndikojnë në çmimet e mallrave dhe zinxhirët e furnizimit.
Vonesat në konsolidimin fiskal të shpallur në atë që Gourinchas e quajti ‘viti më i madh global i zgjedhjeve në histori’ mund të nxisë aktivitetin ekonomik, por gjithashtu mund të nxisë dhe inflacionin. FMN parashikoi rritje globale prej 3.1% në 2024-ën, dy të dhjetat e një pikë përqindjeje më shumë nga parashikimi i tetorit dhe tha se priste rritje të pandryshuar prej 3.2% në 2025-ën. Mesatarja historike për periudhën 2000-2019 ishte 3.8%.
Tregtia globale pritej të zgjerohej me 3.3% në 2024-ën dhe 3.6% në 2025-ën, shumë më poshtë mesatares historike prej 4.9%, me fitime të rënduara nga mijëra kufizime të reja tregtare. FMN-ja qëndroi me parashikimin e tetorit për inflacionin total prej 5.8% për vitin 2024, por e uli parashikimin e vitit 2025 në 4.4% nga 4.6% në tetor. Duke përjashtuar Argjentinën, e cila ka parë rritje të inflacionit, inflacioni total global do të ishte më i ulët, tha Gourinchas.
FMN tha se çmimet mesatare të naftës do të bien 2.3% në 2024-ën, kundrejt rënies prej 0.7% që kishte parashikuar në tetor dhe tha se çmimet pritej të bien me 4.8% në 2025-ën. Gourinchas tha se FMN po vëzhgonte nga afër zhvillimet në Lindjen e Mesme, por ndikimi më i gjerë ekonomik dukej ‘relativisht i kufizuar’.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.