Greqia, prodhim rekord të energjisë së gjelbër – Vendi ka si objektiv eksportin në Veri të Europës
Greqia regjistroi një rekord të lartë në prodhimin e energjisë së erës, diellit dhe hidrocentraleve vitin e kaluar, sipas të dhënave të operatorit të saj të rrjetit, IPTO, ndërsa vendi mesdhetar në skajin jugor të Europës synon të bëhet një eksportues i energjisë së gjelbër në vendet veriore. Energjia e prodhuar nga burimet e rinovueshme dhe hidrocentralet përbënin 57% të totalit vitin e kaluar, një rritje vjetore prej 8.5% nga viti 2022. Pjesa tjetër vinte nga gazi, nafta dhe qymyri.
Pas mbylljes së shumicës së termocentraleve me qymyr, ku ishte mbështetur për dekada, si pjesë e një plani për të hequr gradualisht qymyrin deri në vitin 2026, Greqia ka më shumë se dyfishuar prodhimin e saj nga burimet e rinovueshme që nga viti 2014.
Ajo duhet të investojë rreth 30 miliardë euro për të rritur kapacitetin e gjelbër, zgjerimin e rrjeteve dhe instalimin e njësive të ruajtjes së energjisë për të arritur objektivin e saj që 44% e konsumit të energjisë të vijë nga energjia e gjelbër deri në vitin 2030 nga 22% në 2021-shin, sipas një projekt-plani për klimën dhe energjinë. Si pjesë e një projekti 10-vjeçar me vlerë 5 miliardë euro, IPTO planifikon të zgjerojë kapacitetin e rrjetit në 29 gigavat deri në vitin 2030 nga 18 gigavat që është sot.
Së bashku me zgjerimin e ndërlidhjeve me vendet fqinje, si Bullgaria, Greqia ka promovuar ndërtimin e një lidhjeje energjetike nënujore me Egjiptin dhe një tjetër për të arritur në Gjermani nëpërmjet detit Adriatik, Sllovenisë dhe Austrisë.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.