Ekonomia në Eurozonë, e qendrueshme – Franca dhe Gjermania, me performancën më negative
Prodhimi i Brendshëm Bruto si i Eurozonës, ashtu edhe i Bashkimit Europian mbetën të qendrueshëm gjatë tremujorit të katërt të 2023-shit krahasuar me tremujorin e mëparshëm, sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Eurostat.
Një vlerësim i parë i bazuar në të dhënat tremujore të rregulluara sezonale dhe kalendarike tregoi se në vitin 2023, PBB-ja u rrit me vetëm 0.5 % si në eurozonë ashtu edhe në BE.
Në vitin 2023, si për Eurozonën ashtu edhe për BE-në, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ekonomia u rrit me 0.1% gjatë tremujorit të parë dhe të dytë dhe u ul me 0.1 % gjatë tremujorit të tretë, përpara se të stabilizohej gjatë tremujorit të katërt.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, PBB-ja e rregulluar sezonalisht gjatë tremujorit të katërt u rrit me 0.1 % në eurozonë dhe me 0.2 % në vendet e BE-së.
Ndër vendet anëtare të BE-së që dhanë të dhëna për vlerësimin paraprak, në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, Portugalia, Spanja, Belgjika dhe Letonia treguan performanca relativisht më të mira ekonomike, duke arritur norma pozitive rritjeje, ndërsa Irlanda, Gjermania dhe Lituania pësuan rënie në PBB krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Analistët vunë në dukje se pavarësisht se ekonomia e eurozonës iu shmang një recesioni teknik në gjysmën e dytë të 2023-shit, ajo mbeti e nënshtruar për shkak të faktorëve të tillë si rritja e çmimeve të energjisë dhe rritja e kostove të kredisë. Veçanërisht, midis ekonomive kryesore të BE-së, ekonomia e Gjermanisë u tkurr, ndërsa ekonomia e Francës tregoi performancë të dobët. Perspektiva për ekonominë europiane në vitin 2024 mbetet sfiduese, duke pasur parasysh kërkesën e dobët dhe përshkallëzimin e tensioneve gjeopolitike.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.