Janari, muaj shumë pozitiv për dollarin -Rritet me mbi 2%, zbehen shanset që FED të ulë interesat në mars
Dollari amerikan pritet të publikojë fitimet më të mëdha mujore që nga shtatori i vitit të kaluar, gjatë janarit, për shkak se investitorët kanë ulur bastet për lehtësimin e politikave monetare në SHBA në muajin mars.
Tregjet po presin edhe takimin e Rezervës Federale në mbrëmjen e sotme, për të mësuar më shumë detaje se kur do të vijë ulja e parë e interesave. Dollari është rritur me mbi 2% gjatë këtij muaji, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, pasi të dhënat e forta mbi ekonominë amerikane i kanë dhënë Rezervës Federale më shumë hapësira për t’i mbajtur normat e interesit të larta edhe për pak kohë.
Ndërkohë, në Japoni, rritja e vakët e pagave dhe ftohja e inflacionit zbutën pritjet për rritjen e interesave, duke e ulur jenin me më shumë se 4% ndaj dollarit në janar, rënia më e madhe që nga shkurti i vitit 2023.
Euro po këmbehet në rreth 1.081 dollarë, niveli më i ulët në të paktën 6 javët e fundit. Në takimin e sotëm, Rezerva Federale pritet të mos ndryshojë normat e interesit, por investitorët janë të interesuar për gjuhën që do të përdorë presidenti Jerome Powell. Analistët vlerësojnë aktualisht rreth 43% shanse për uljen e interesave në mars, nga 73% në fillim të vitit. Këto parashikime janë të rëndësishme për ecurinë e raportit euro/dollar.
Një probabilitet 100% për një ulje të normës bazë të interesit do të sugjeronte se raporti euro/dollar mund të rritet në 1.1080 dollarë, ndërsa përjashtimi i mundësive për një ulje të interesave në mars do të sugjeronte se rruga e kursit të këmbimit euro/dollar do të ishte drejt 1,0660. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po qëndron në rënie me rreth 1.5% dhe po tregtohet pranë 43,000 dollarëve, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 2,335 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.