Nafta, në rënie pavarësisht tensioneve – Investitorët, të shqetësuar për ngadalësimin e kërkesës në Kinë
Nafta po qëndron në rënie edhe në sesionin e sotëm, për shkak të shqetësimeve për ngadalësimin e kërkesës, pavarësisht përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme. Kontrata “futures” për naftën Brent të Londrës po qëndron në rreth 82.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 77.5 dollarë për fuçi.
Analistët shprehen se një përgjigje e fortë ushtarake nga SHBA, ndaj sulmit me dron ndaj trupave amerikane në Jordani mund të shkaktojë një reagim të fortë nga tregu. Presidenti amerikan Joe Biden tha se kishte vendosur se si t’i përgjigjej sulmit pa dhënë detaje të mëtejshme, por shtoi se dëshironte të shmangte një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Grupi i armatosur irakian, Kataib Hezbollah, i lidhur me Iranin, për të cilin Pentagoni kishte sugjeruar se mund të qëndronte pas sulmeve, njoftoi të martën pezullimin e të gjitha operacioneve të tij ushtarake kundër trupave amerikane në rajon.
Ndërkohë, në konfliktin izraelito-palestinez, Hamasi tha të martën se kishte marrë dhe po studionte një propozim për armëpushim. Kjo duket se është nisma më serioze e paqes që nga armëpushimi i parë dhe i vetëm i luftës, i cili nuk u respektua në nëntor.
Por, investitorët janë të shqetësuar se një armëpushim në Gaza, jo domosdoshmërisht do të thotë se grupi Houthi do të ndalojë sumet ndaj anijeve që kalojnë në Detin e Kuq. Faktorët në rënie për çmimet përfshijnë krizën e thelluar në sektorin e pasurive të paluajtshme në Kinë, pas likuidimit të kompanisë së pronave China Evergrande Group, që ka ngritur shqetësime rreth kërkesës nga importuesi më i madh në botë i naftës.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.