Gazheli takim me drejtues të AmCham – Në diskutim inkurajimi i biznesit për të aplikuar për statusin Operator Ekonomik i Autorizuar
Presidenti i Dhomës Amerikane, Grant Van Cleve dhe drejtori ekzekutiv, Neritan Mullaj kanë mbajtur një takim me drejtorin e përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli.
Sipas AmCham-it, ky është hapi i parë i ndërmarrë në vitin 2024 nga drejtuesit e dy institucioneve për të konsoliduar marrëdhëniet e punës në funksion të shërbimit ndaj biznesit.
Dhoma Amerikane ka mbajtur vazhdimisht takimeve periodike me Drejtorinë e Doganave dhe ka ndërtuar një platformë të drejtpërdrejtë të komunikimit në trajtimin e çështjeve që anëtarët e saj hasin në dogana.
“Për të forcuar këtë marrëdhënie, drejtuesit e AmCham dhe Doganave, kanë folur konkretisht për planet e bashkëpunimit gjatë vitit dhe format më të mira të trajtimit të çështjeve me te ndjeshme apo ato që janë në proces. Doganat kanë një sërë problematikash të ngritura nga anëtarët e AmCham ndërkohë që vijimi i lehtësimit të procedurave doganore apo proceset e digjitalizimit të sistemeve, mbeten tema dypalëshe për të cilat është e nevojshme shkëmbimi i informacionit dhe diskutimi mbi zgjidhjet e propozuara”, bën të ditur Dhoma.
Drejtuesit e të dy institucioneve e vlerësuan si mjaft të rëndësishëm promovimin e statusit OEA (Operatori Ekonomik i Autorizuar) dhe inkurajimin e biznesit për të aplikuar për këtë status që lehtëson dhe shkurton kohën procedurave në dogana.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.