Gjenerata Z braktis rrjetet sociale – Synimi është “rilidhja” me botën përreth tyre
Të rinjtë pohojnë se shëndeti i tyre mendor është përmirësuar që kur nisën të shmangnin rrjetet sociale.
Ata shprehen se negativiteti i vazhdueshëm në platformat sociale po i prek dhe se ndihen më mirë që kur kanë vendosur të shkëputen. Hulumtimet e fundit kanë treguar se një e katërta e të anketuarve ndihen të shqetësuar për shkak të fluksit të vazhdueshëm të njoftimeve nga rrjetet sociale, sipas raportimeve të BBC.
Gjenerata Z – njerëzit e lindur midis 1996 dhe 2010 – kanë më shumë gjasa se të tjerët të pranojnë se mediat sociale ndikojnë në mirëqenien e tyre. Si studentë, rrjetet sociale mbeten një mënyrë e rëndësishme për krijimin e kontakteve.
Por ata rrëfejnë se u shkëputën pasi kuptuan se sa negativitet po krijonin mediat sociale. Pjesa më e madhe e kohës shpenzohet në TikTok, i cili përshkruhet si mjaft problematik, vërtet i vështirë për t’u larguar.
Sipas hulumtimit të ‘HMD Global’, tre nga pesë persona që i përkasin gjeneratës Z rregullisht ndërmarrin një “detoks” të mediave sociale për t’u rilidhur me botën përreth tyre.
Në një studim nga Instituti Shëndetësor McKinsey, një në katër anëtarë të Gjeneratës Z e lidhin shpenzimin e një kohe të madhe në mediat sociale me shëndetin më të dobët mendor. Kërkimet sugjerojnë se ekziston një marrëdhënie e ndërlikuar midis përdorimit të mediave sociale dhe shëndetit mendor midis të rinjve. Përdorimi jo i shëndetshëm i mediave sociale mund të lidhet me probleme të shëndetit mendor si ankthi dhe depresioni. Një studim zbuloi se përdorimi i teknologjisë nga prindërit mund të ndikojë gjithashtu në qëndrimet e të rinjve ndaj mediave sociale.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.