Gjermania bllokon shitjen e fabrikës së çipave Kinës për shkak të frikës së sigurisë!
Qeveria gjermane ka bllokuar shitjen e një prej fabrikave të saj të gjysmëpërçuesve një kompanie teknologjike në pronësi kineze për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
Ministria e Ekonomisë e Gjermanisë tha në një deklaratë se e kishte ndaluar Elmos Semiconductor, e cila prodhon çipa për industrinë e automobilave, të shesë fabrikën e saj në Dortmund te Silex, një degë suedeze e Sai Microelectronics të Kinës.
Vendimi ishte marrë “sepse blerja do të kishte rrezikuar rendin publik dhe sigurinë e Gjermanisë”, tha ministria në një deklaratë.
Silex njoftoi në dhjetor se kishte nënshkruar një marrëveshje me Elmos për të blerë fabrikën për 85 milionë euro (85.4 milionë dollarë). Elmos tha në një deklaratë se të dy kompanitë shprehën keqardhje për vendimin e qeverisë.
“Transferimi i teknologjive të reja të mikromekanikës … nga Suedia dhe investimet e rëndësishme në vendndodhjen e Dortmundit do të kishin forcuar prodhimin e gjysmëpërçuesve në Gjermani,” tha Elmos, duke shtuar se po shqyrtonte nëse do të ndërmerrte veprime ligjore.
Sia Microelectronics tha në një deklaratë të enjten se “ndjen keqardhje të thellë” për vendimin e qeverisë gjermane. Aksionet e saj ranë më shumë se 9% në Shenzhen.
“Ne duhet të shohim nga afër blerjet e kompanive kur përfshihet infrastruktura e rëndësishme ose kur ekziston rreziku i rrjedhjes së teknologjisë drejt blerësve nga vendet jo-BE”, tha në një konferencë shtypi ministri gjerman i ekonomisë Robert Habeck.
Ai shtoi se industria e gjysmëpërçuesve në Europë, në veçanti, duhet të ruajë “sovranitetin e saj teknologjik dhe ekonomik”.
Marrëveshja e planifikuar kishte tronditur autoritetet gjermane të shqetësuara se investimet kineze në infrastrukturën e saj kritike mund të komprometonin pronën e saj intelektuale dhe ta linin atë të ekspozuar ndaj presionit politik nga Pekini.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.