Heqje licence për pagesat rregullatore të energjisë – ERE “fal” kompanitë, pas paralajmërimeve likujduan detyrimet
Të paktën 21 subjekte të licencuar në sektorin e energjisë elektrike rrezikonin heqjen e licencës, për shkak se nuk kishin likujduar pagesat rregullatore, ndaj Entit Rregullator të Energjisë.
Pak javë më parë, ERE nisi procedurat për shfuqizimin e licencave ndaj këtyre subjekteve, por përmes një vendimi të dytë është vendosur që ato të jenë aktive, duke qenë se ka patur reagime nga ana e të licencuarve. Në vendimet e ndryshuar të ERE-s bëhet e ditur se subjektet kanë likujduar pagesat, ndonëse edhe më herët ishin paralajmëruar disa herë për shkeljen e detyrimeve.
Sipas legjislacionit të fuqi, heqja e licencës është masa më rëndë në rast të mos likujdimit të pagesave rregullatore, teksa sipas të dhënave zyratre, për vitin 2023 ERE përllogariti mbledhjen e rreth 326.4 mln lekë nga pagesat rregullatore nga subjektet e licencuar në sektorin e energjisë elektrike dhe gazit natyror.
Përllogaritja e pagesave bëhet mbi të ardhurat e realizuara nga aktiviteti i licencuar, ndërkohë që në rast të mungesës së pasqyrave financiare u përdorën nivelet e pagesave rregullatore të vitit 2022.
Gjithashtu, legjilaslacioni në fuqi përcakton ndëshkimin me gjobë deri në 3 për qind të të ardhurave të vitit paraardhës të të licencuarit,si dhe ka të drejtë të aplikojë një kamatëvonesë mbi vlerën e pagesës rregullatore, në masën e 0.2 % të xhiros ditore për çdo ditë vonesë në pagesën e saj.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.