Inflacioni në SHBA rrëzon Dollarin – Shfaq shenja të ngadalësimit, FED pritet të ulë agresivitetin
Dollari amerikan ka vijuar dobësimin edhe në sesionin e sotëm, duke zgjeruar humbjet e një dite më parë, pasi inflacioni në SHBA rezultoi poshtë parashikimeve të analistëve dhe shfaqi shenja të ngadalësimit. Të dhënat kanë rritur pritshmëritë se Rezerva Federale do të ngadalësojë hapin e rritjes së interesave në takimet e ardhshme.
Gjatë sesionit të kaluar, euro fitoi rreth 2% të vlerës përballë dollarit amerikan, duke u ngjitur në mbi 1.02 dollarë, niveli më i lartë që nga gushti i këtij viti. Referuar të dhënave në SHBA, indeksi i çmimeve konsumatore u rrit me 7.7% gjatë tetorit, me bazë vjetore, rritja më e ngadaltë që nga fillimi i këtij viti, dhe poshtë parashikimeve të analistëve, që prisnin një rritje prej 8%.
Edhe në raport me jenin japonez, dollari realizoi ditën më të keqe që nga viti 2016, duke humbur rreth 3.7% të vlerës. Ndërkohë, paundi britanik u rrit me rreth 3%, në mbi 1.17 në raport me dollarin.
Tashmë, investitorët po vlerësojë 71% mundësi që Rezerva Federale të rrisë normën bazë të interesit me 50 pikë bazë në takimin e dhjetorit. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet pranë 17 mijë dollarëve, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1270 dollarë.
Ky treg është gjendur nën presion në ditët e fundit për shkak të dështimit të marrëveshjes për bashkimin e dy platformave më të mëdha të këmbimit të kriptomonedhave në botë, Binance dhe FTX.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.