Janar-nëntor, shqiptarët paguan 200 milionë euro sigurime – Rritet me 8% volumi i arkëtimeve të kompanive, 1.3 milionë kontrata në total
Për 11 muajt e këtij viti, shqiptarët kanë paguar në total për të siguruar jetën, shëndetin, pronat, e veccanërisht makinat afërisht 200 milionë euro. Të dhënat bëhen publike prej autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, sipas të cilit, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për muajin janar-nëntor 2023 kapën vlerën 20,5 miliardë lekë, thuasje 200 milionë euro, ose 8.38% më shumë se në janar-nëntor 2022. Gjatë muajit janar-nëntor 2023, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,322,512 me një rritje prej 10.84% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.94% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, sigurimet e Jetës kanë 8.00% dhe risigurimi 0.059 %. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.04% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.96% të totalit të tregut.
Gjatë muajit janar-nëntor 2023, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 6,3 miliardë lekë, ose 3.22% më shumë se në muajin janar-nëntor 2022. Dëmet e paguara bruto në sigurimin e motorik për muajin janar-nëntor 2023 kapën vlerën 4,3 miliardë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 9.93% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkaq, edhe për këtë vit, sigurimi i automjeteve mbetët portofoli me peshën më të madhe në treg. Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë muajit janar-nëntor 2023 arritën rreth 12,5 miliardë lekë, ose 6.96% më shumë se në muajin janar-nëntor 2022.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.