Javë e “zymtë” për “Big Tech”- Alphabet, Amazon, Meta dhe Microsoft në total humbën mbi 350 miliard USD në treg
Përveç Apple, ishte një javë e “zymtë” për fitimet e gjigantëve të teknologjisë, ose siç njihen ndryshe “Big Tech”. Alphabet, Amazon, Meta dhe Microsoft së bashku humbën mbi 350 miliardë dollarë në treg pas publikimit të komenteve shqetësuese për tremujorin e tretë dhe pjesën e mbetur të vitit. Midis ngadalësimit të rritjes së të ardhurave, ose rënies në rastin e Meta, si dhe përpjekjeve për të kontrolluar kostot, gjigantët e teknologjisë e kanë gjetur veten në një pozicion të panjohur pas rritjes së shfrenuar në dekadën e fundit.
Rezultatet e tremujorit të tretë erdhën në sfondin e rritjes së inflacionit, rritjes së normave të interesit dhe një recesioni të afërt. Apple e hodhi poshtë trendin pasi rriti pritshmëritë për të ardhurat dhe fitimet.
E kundërta ndodhi me Meta, e cila regjistroi rënie të vlerës së aksioneve. Ajo nuk pati fitime, regjistroi të ardhurat mesatare më të ulëta për përdorues në dy vjet dhe deklaroi se shitjet në tremujorin e katërt mund të bien.
Aksionet e Meta patën javën më të keqe që nga viti 2012, duke rënë me 24% gjatë pesë ditëve të fundit. Microsoft ra 2.6% këtë javë, duke arritur humbjen më të madhe prej 7.7% të mërkurën.
Java ishte e zymtë edhe për Amazon, aksionet e së cilës regjistruan rënie me 13%. Një parashikim i zymtë i tremujorit të katërt, së bashku me një ngadalësim dramatik në njësinë e tij të kompjuterave cloud, ishin arsyet kryesore të rënies.
Ndërsa Shërbimet Ueb të Amazon regjistruan zgjerim të ngadaltë në 27.5% nga 33% në periudhën e mëparshme, grupi cloud i Google, i cili është më i vogël, përshpejtoi rritjen deri në gati 38%. Google planifikon të vazhdojë investimet në cloud, edhe pse synon të frenojë rritjen e përgjithshme të numrit të punonjësve në tremujorët e ardhshëm.
Megjithatë, rezultatet nga pjesa tjetër e Alphabet ishin më pak mbresëlënëse. Biznesi kryesor i reklamave të kompanisë u rrit lehtë dhe të ardhurat e YouTube nga reklamat ranë krahasuar me vitin e kaluar. E kundërta ndodhi me Amazon, e cila po konkurron me Google dhe Facebook në reklamat dixhitale. Në biznesin e reklamave të Amazon, rritja e të ardhurave u përshpejtua në 30%, duke tejkaluar vlerësimet e analistëve.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.