Kryeministri grek Mitsotakis prezanton “revolucionin e peshqirëve” – Nuk do të lejohen më shezllone në 85% të plazheve të vendit
70 deri në 85% e plazheve greke do të jenë të lira nga shezllonet, në atë që kryeministri i vendit Mitsotakis e ka cilësuar si ‘revolucionin e peshqirëve’. Ligji i ri vendos rregulla më të ashpra për shfrytëzimin e hapësirave të përbashkëta në plazhe: nga pronarë dhe pushues.
“A e mbani mend verën e kaluar bujën – dhe me të drejtë – të “revolucionit të peshqirëve” për pushtimin e paligjshëm të plazheve tona nga tavolina dhe shezllone? U mobilizuam menjëherë, miratuam një ligj të ri, i cili sjell rregull në plazhet tona.” Është kjo deklarata në profilin e tij TikTok e kryeministrit të Greqisë Mitsotakis.
“Thënë thjesht, realizohen tre gjëra: Sigurojmë akses të lirë në të gjitha plazhet tona për të gjithë qytetarët, përdorim teknologji të reja si për ankandet ashtu edhe për inspektimet e plazheve, vendosim gjoba më të ashpra për ata që shkelin ligjin dhe cënojnë plazhet tona”, shtoi Mitsotakis.
Kryeministri sqaroi se ligji nuk trajton çështje urbanistike, ka një distancë prej 50 metrash nga vija e detit për të ndërtuar dhe kjo distancë nuk ndryshon. Pra nuk cënon asnjë dispozitë për kushtet e ndërtimit. Sipas tij ky ligj siguron që 70% e sipërfaqes së plazhit duhet të jetë e lirë dhe në një distancë minimale prej 4 metrash nga bregu. Për plazhet në zonat e natyrës, 70% bëhet 85%, pra shezlongët vendosen vetëm në 15% të plazhit.
Për herë të parë krijohen “plazhet e paprekura” me vlera të veçanta mjedisore ku nuk lejohen shezlongët apo asnjë lloj shfrytëzimi. Kushdo që merr leje do të ketë edhe detyrime specifike: të pastrojë plazhet, të lejojë aksesin e personave me aftësi të kufizuar dhe sigurisht të ketë një roje plazhi. Ligji do të zbatohet me më shumë kontrolle dhe do të ketë gjoba të ashpra për shkelësit, madje edhe mbyllje të biznesit.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.