Lufta në Gaza “ngrin” korridorin e ri tregtar – I planifikuar nga SHBA në përpjekje për të konkurruar me Kinën
Në përpjekje për të konkurruar me Kinën, SHBA kishin planifikuar një korridor të ri tregtar që mbeti pezull me shpërthimin e luftës në Lindjen e Mesme. Një plan ambicioz për të krijuar një rrugë të re tregtare midis Europës dhe Azisë, duke kaluar vendet e Lindjes së Mesme. Ky është i ashtuquajturi Korridori Ekonomik Indi-Lindje e Mesme-Europë, një projekt i paraqitur vitin e kaluar nga Uashingtoni dhe aleatët e tij kryesorë, i cili parashikon ndërtimin e lidhjeve të reja hekurudhore në të gjithë Gadishullin Arabik.
Megjithatë, lufta Izrael-Hamas dhe tensioni në Detin e Kuq, si dhe zgjerimi i destabilitetit në rajonin e gjerë të Lindjes së Mesme, e kanë lënë pezull këtë plan. SHBA-të kishin besuar shumë në planin që duket se po shkërmoqet: objektivi ishte konkurimi i programit gjigant të infrastrukturës të Kinës ‘një brez, një rrugë’. Kjo duke krijuar ndikim në të ashtuquajturin ‘Jugu Global’ dhe duke përshpejtuar afrimin e synuar midis Izraelit dhe Arabisë Saudite. Ekspertët theksojnë se plani në fjalë kishte shkaktuar nervozizëm në Iran, Kinë, Rusi dhe Turqi, duke e cilësuar këtë fakt si ‘provën më të mirë të rëndësisë së tij strategjike’.
Pavarësisht paqëndrueshmërisë së gjerë në rajon, përmes të cilit do të kalonte korridori i ri tregtar, SHBA-të po përpiqen ta mbajnë gjallë projektin, qoftë edhe vetëm si një premtim për të ardhmen. Në luftën e tyre për ndikim global, SHBA-ja dhe Europa, nga njëra anë, konkurrojnë me Kinën dhe, së dyti, Rusinë, nga ana tjetër, për mbështetjen e vendeve të Botës së Tretë. Në këtë situatë të tensionuar, polet e reja në zhvillim duket se mbizotërojnë, të paktën tani për tani: shumë ekonomi në zhvillim kanë mbetur neutrale përballë pushtimit rus të Ukrainës dhe kanë kërkuar një fund të pakushtëzuar të operacionit brutal ushtarak të Izraelit në Gaza, duke refuzuar të ndjekin linjën amerikane.
Për më tepër, në përpjekjen për t’iu përgjigjur presionit nga programi i infrastrukturës së Kinës, vendet e G7 janë përfshirë në atë që disa analistë e përshkruajnë si një ‘betejë ofertash’, duke i dhënë përparësi projekteve të infrastrukturës. Dhe ndër projektet e promovuara, korridori hekurudhor i Lindjes së Mesme ishte një nga më ambiciozët.
Marrëveshja vendimtare për promovimin e korridorit të ri tregtar u përfundua disa javë para shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme. Por, kaosi që ka mbizotëruar në Lindjen e Mesme tani ka ngrirë përgjithmonë korridorin e ri tregtar hekurudhor, që kalon nëpër vende, të cilat tani janë të armatosur prej mundësisë për t’u përfshirë në një konflikt rajonal në zgjerim. Arabia Saudite përjashton çdo marrëveshje me Izraelin nëse nuk ka një plan të qartë për krijimin e një shteti palestinez.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.