Luhatjet lek-euro, skenarët për borxhin e jashtëm – 50 Milion Euro rezervë në 2024 për rreziqet nga kursi dhe normat e interesit
Ndërsa po përfiton nga një situatë e favorshme sa i përket borxhit të jashtëm dhe planifikon të orientohet gjithnjë e më shumë nga huamarrja e brendshme, Qeveria nuk përjashton mundësinë që ndonjë luhatje e fortë në kursin e këmbimit të ndikojë ndjeshëm te borxhi i jashtëm në terma afatmesëm. Në buxhetin e vitit 2024 ajo parashikon që shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 66.2 miliardë lekë ose 2.7% të PBB-së, por për shkak të pasigurive ajo ka parashikuar dhe një rezervë prej 5.3 miliardë lekë apo afërisht 50 milionë euro për të mitiguar risqet e mundshme nga luhatjet e normave të interesit, apo kursit të këmbimit.
Ndërkohë që në Dokumentin e Programit të Reformave Ekonomike (ERP) 2024–2026, Qeveria thekson se ecuria e borxhit të jashtëm sjell me vete pasiguri, shkak për të cilin ajo llogarit edhe dy skenarë risku, duke simuluar efekte të diferencuara të goditjeve ndaj normës së interesit dhe ndaj kursit të këmbimit. Në skenarin e parë të Qeverisë, norma mesatare e interesit që paguhet për borxhin e jashtëm rritet në mënyrë të përhershme me dy devijime standarde përgjatë horizontit parashikues. Në skenarin e dytë, monedha vendëse merr një goditje nënçmuese jopermanente prej 10% krahasuar me skenarin bazë për vitin 2023. Rezultatet e simulimit tregojnë për një ndjeshmëri më të madhe të borxhit të jashtëm bruto ndaj një nënçmimi prej 10% të monedhës. Devijimet e raportit të borxhit ndaj PBB-së në fund të horizontit parashikues krahasuar me skenarin bazë, janë rreth 3 pikë përqindjeje në rastin e goditjes së normave të interesit dhe rreth 6 pikë përqindjeje në raport me Produktin e Brendshëm bruto në rastin e nënçmimit të kursit të këmbimit. Në këtë rast, borxbi i jashtëm do ngrihej në 54% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Në dokument Qeveria bën me dije se në periudhën afatmesme, nevojat për financim të qeverisë qendrore do të realizohen duke përdorur si huamarrjen e brendshme ashtu edhe atë të jashtme. Burimet e brendshme të huamarrjes do të vazhdojnë të jenë kontribuesi kryesor për të mbajtur nën kontroll riskun e kursit të këmbimit (duke ulur në afat të mesëm raportin e borxhit në valutë/ borxhit total dhe duke ruajtur këtë tregues nën kufirin prej 50% të përcaktar në Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.