Shqipëria “noton” mbi valutë – Rezerva valutore mbulon 7.1 muaj importe. Stoku i rezervës ndërkombëtare 5.7 mld euro
Si pasojë e përshpejtimit të rritjes së PBB-së, mbiçmimit të shpejtë të kursit të këmbimit të lekut, si dhe rritjes së fortë të rezervës valutore, Qeveria po përjeton një situatë mjaft të favorshme me borxhin publik, veccanërisht atij të jashtmit. Të dy treguesit më të rëndësishëm të mjaftueshmërisë, ai i mbulimit të importeve dhe borxhit të jashtëm afatshkurtër paraqiten në nivele optimale.
Banka e Shqipërisë mban rezerva ndërkombëtare sipas dy kritereve të mjaftueshmërisë: (1) mbulim i të paktën 4 muajsh importe mallrash dhe shërbimesh dhe (2) të paktën 100% të borxhit të jashtëm afatshkurtër bruto. Këto kritere shërbejnë si prag minimal, ndërkohë që Banka e Shqipërisë optimizon nivelin e rezervës duke marrë parasysh rreziqet potenciale në të ardhmen, si dhe kostot që lidhen me mbajtjen e rezervës. Në shtator të vitit 2023, stoku i rezervës ndërkombëtare bruto ishte 5.73 miliardë euro, ose rreth 28% ndaj PBB-së. Ky nivel është i mjaftueshëm7 për të mbuluar 7.1 muaj importe mallrash dhe shërbimesh dhe më shumë se 3 herë borxhin e jashtëm afatshkurtër. Nga ana tjetër, Qeveria pret që të dy kriteret të qëndrojnë dukshëm mbi nivelet minimale të mjaftueshmërisë gjatë periudhës afatmesme.
Ndërkaq treguesit e aftësisë ripaguese afatgjatë janë përmirësuar gjatë gjysmës së parë të vitit 2023 për shkak të eksporteve dhe të ardhurave fiskale në rritje. Raporti i borxhit të jashtëm ndaj eksportit të mallrave dhe shërbimeve ra nga 136.8% një vit më parë në nivelin 115.1% në tremujorin e dytë të vitit 2023. Për të njëjtat periudha krahasuese, raporti i borxhit të jashtëm ndaj të ardhurave fiskale ra nga 213.9% në 183.0%. Raporti i stokut të borxhit të jashtëm të qeverisë së përgjithshme ndaj të ardhurave fiskale ra në nivelin 91.7% në tremujorin e dytë të vitit 2023, kundrejt 105.2% një vit më parë. Treguesit e likuiditetit paraqiten gjithashtu të përmirësuar duke dëshmuar për prani të presione të ulëta nga detyrimet afatshkurtra.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.