Miratohet vendimi/ Shpërndahen 1 miliardë lekë për detyrimet e prapambetura si paga të gjyqtarëve dhe prokurorëve
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për akordimin e fondeve shtesë në zërin e shpenzimeve korrente, në masën 1 miliardë lekë në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për pagesën e një pjese të diferencës së pagës së magjistratit, sipas arsyetimit të vendimin nr.35, datë 22.11.2022, të Gjykatës Kushtetuese. Kjo diferencë jepet për institucionet e rivlerësimit kalimtar të magjistratit, që nga momenti i krijimit të tyre dhe për institucionet e tjera të sistemit të drejtësisë, që nga data 1 janar 2019 e në vazhdim, raporton SCAN.
Fondi, ndahet, si më poshtë:
a) Për institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme shtohet fondi prej 400 000 000 (katërqind milionë) lekësh.
b) Për institucionin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë shtohet fondi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh.
c) Për institucionin e Këshillit të Lartë Gjyqësor shtohet fondi prej 350 000 000 (treqind e pesëdhjetë milionë) lekësh.
ç) Për institucionin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shtohet fondi prej 60 000 000 (gjashtëdhjetë milionë) lekësh.
d) Për institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë shtohet fondi prej 2 000 000 (dy milionë) lekësh.
dh) Për institucionin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit shtohet fondi prej 60 000 000 (gjashtëdhjetë milionë) lekësh.
e) Për institucionin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shtohet fondi prej 25 000 000 (njëzet e pesë milionë) lekësh.
ë) Për institucionin e Komisionerëve Publikë shtohet fondi prej 22 000 000 (njëzet e dy milionë) lekësh.
f) Për institucionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shtohet fondi prej 13 000 000 (trembëdhjetë milionë) lekësh.
g) Për institucionin e Avokatit të Popullit shtohet fondi prej 4 000 000 (katër milionë) lekësh.
gj) Për institucionin e Shkollës së Magjistraturës shtohet fondi prej 54 000 000 (pesëdhjetë e katër milionë) lekësh.
Fondi prej 1 000 000 000 (një miliard) lekësh përballohet nga fondi kontingjencës, i miratuar në buxhetin e vitit 2023.
Shlyerja e pagesës do të bëhet nga institucionet e sistemit të drejtësisë, brenda datës 15.1.2024.
Detyrimet rrjedhin nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese për shtesën prej 14 mijë lekësh të pagës për magjistratët që nga viti 2019 e në vijim, shtesë që nuk gjente zbatim në buxhetin e vitit 2024 duke krijuar ankesa nga institucionet e drejtësisë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.