Paundi, monedha me performancën më të dobët – Ndikohet nga ngadalësimi i inflacionit në Britani në 3.9% për nëntorin
Dollari amerikan i është rikthyer fitimeve në sesionin e sotëm, ndërsa paundi ka rënë ndjeshëm për shkak se inflacioni në Britani për nëntorin preku nivelin më të ulët në dy vitet e fundit. Ky raport bëri që investitorët të vendosin baste se Banka e Anglisë do të fillojë të ulë normat e interesit në vitin 2024.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rreth 102.4, duke u tërhequr lehtë nga niveli më i ulët në 4 muajt e fundit, që ishte një ditë më parë. Tashmë investitorët po presin të dhënat mbi inflacioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që publikohen të premten.
Në ditët e fundit, zyrtarët e Rezervës Federale kanë kundërshtuar idenë e uljes së shpejtë të normave të interesit vitin e ardhshëm, pasi takimi i javës së kaluar bëri që tregjet të parashikojnë 3 ulje në vitin 2024, duke shkaktuar një rritje në tregjet financiare.
Ndërkohë, euro është dobësuar lehtë dhe po këmbehet me rreth 1.0950 dollarë. Politikëbërësi i Bankës Qendrore Evropiane, Joachim Nagel deklaroi në një intervistë të botuar të mërkurën se normat e interesit në Eurozonë duhet të mbeten të larta, ndërsa tregtarët që vendosin baste për uljen e kostove të huamarrjes duhet të jenë të kujdesshëm.
Në anën tjetër, jeni japonez është forcuar përballë dollarit amerikan, një ditë pasi Banka e Anglisë e mbajti të pandryshuar politikën monetare ultra-lehtësuese dhe sinjalizoi se do të presë të tjera të dhëna ekonomike, përpara se të ndërmarrë rritjen e mundshme të interesave. Sipas Reuters, qeveria japoneze synon të reduktojë buxhetin e vitit të ardhshëm fiskal, për herë të parë në 12 vitet e fundit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.