Monedhat vijojnë qëndrueshmërinë – Volumi i shkëmbimeve tregtare është shumë i ulët për shkak të fundit të vitit
Dollari amerikan po qëndron në rënie të lehtë edhe në sesionin e sotëm, ndërsa tregu po karakterizohet nga qëndrueshmëria sepse është tregtia e parafundit për këtë vit. Investitorët po shkojnë drejt vitit 2023 me optimizmin se qeveria kineze do të lehtësojë masat kundër Covid-19, pavarësisht rritjes së infektimeve.
Ndërkohë që Kina do të heqë karantinën për udhëtarët e huaj duke filluar nga data 8 janar, vende si Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe India deklaruan se do të kërkojnë testet e Covid për udhëtarët nga Kina. Euro po tregtohet e qëndrueshme në mbi 1.06 dollarë, ndërsa paundi po tregtohet në mbi 1.2 dollarë.
Edhe në sesionin e fundit të vitit pritet që luhatjet të jenë minimale. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 104.3. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet në rreth 16,550 dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1195 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.