Nafta ngjitet në mbi 91 dollarë – Tregjet presin takimin e OPEC, parashikohet ulje e prodhimit
Nafta po shfaqet e qëndrueshme në sesionin e sotëm, pas dy ditësh me radhë në rritje të konsiderueshme. Investitorët po presin takimin e OPEC+ që zhvillohet më vonë gjatë ditës së sotme, ku me shumë mundësi do të vendoset ulja e kuotave të prodhimit.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në mbi 91.5 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar u rrit me rreth 3 dollarë. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 86.5 dollarë për fuçi, pas rritjes me 2.9 dollarë një ditë më parë. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët e tjerë, që ndryshe njihen si OPEC+.
Do të takohen në Vjenë më vonë gjatë ditës së sotme, për të diskutuar uljen e prodhimit mes 1 dhe 2 milionë fuçive në ditë. Kjo do të ishte ulja më e madhe e prodhimit që kur globi u godit nga pandemia e Covid-19. Vendimi do të vijë pavarësisht thirrjeve të Shteteve të Bashkuara për të mos ulur kuotat e prodhimit.
Furnizimi i tregut mund të tkurret akoma më shumë, pasi në dhjetor do të hyjnë në fuqi sanksionet e Bashkimit Europian ndaj naftës ruse. Në anën tjetër, kërkesa mund të ngadalësohet ndjeshëm, si pasojë e mundësive që bota të shkojë drejt recesionit në vitin 2023.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.