“Ndaloni përfitimet nga lufta” – Biden, thirrje kompanive të naftës dhe gazit: Fitimet duhet t’i kaloni te konsumatorët
Presidenti i SHBA, Joe Biden, u bëri thirrje kompanive të naftës dhe gazit që të përdorin fitimet e tyre rekord për të ulur kostot për amerikanët dhe rritur prodhimin, ose për të paguar një normë më të lartë taksash.
Gjatë një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë, Biden kritikoi kompanitë e mëdha të naftës që po marrin fitime të mëdha, ndërsa amerikanët, të lodhur nga inflacioni, paguajnë gjithnjë e më shumë për të furnizuar makinat e tyre.
“Industria e naftës nuk e ka përmbushur zotimin e saj për të investuar në Amerikë dhe për të mbështetur popullin amerikan. Ata nuk po bëjnë vetëm një kthim të drejtë, por fitime aq të larta sa është e vështirë të besohet. Fitimet e tyre janë të përkohshme për shkak të luftës që po shkatërron Ukrainën dhe ata kanë përgjegjësinë për të vepruar. Nëse do t’i kalonin ato fitime te konsumatorët, çmimet e benzinës do të uleshin rreth 50 cent. Nëse nuk e bëjnë, ata do të paguajnë një taksë më të lartë mbi fitimet e tyre të tepërta dhe do të përballen me kufizime të tjera. Shtëpia e Bardhë do të punojë me Kongresin për të shqyrtuar këto opsione dhe të tjera. Është koha që këto kompani të ndalojnë përfitimin e luftës”, u shpreh Joe Biden, President i SHBA.
Biden foli në Shtëpinë e Bardhë një javë përpara se amerikanët të vendosin nëse demokratët do të vijojnë të mbajnë kontrollin e Kongresit. Republikanët janë të favorizuar për të marrë drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa beteja për Senatin pritet të jetë më e fortë.
Gjigantët globalë të energjisë kanë publikuar një raund tjetër fitimesh të mëdha tremujore, duke përfituar nga rritja e çmimeve të gazit natyror dhe karburantit që kanë nxitur inflacionin në mbarë botën dhe kanë çuar në thirrje të reja për taksimin e mëtejshëm të sektorit.
Nëse demokratët apo republikanët marrin kontrollin e Kongresit, miratimi i një ligji që takson kompanitë e energjisë për fitime të tepërta ka të ngjarë të jetë i vështirë, besojnë ekspertët e energjisë.
Shtëpia e Bardhë prej muajsh ka marrë në konsideratë propozimet e Kongresit që mund të tatojnë fitimet e prodhuesve të naftës dhe gazit pasi konsumatorët po përballen me çmime më të larta.
Ndërkohë, ligjvënësit britanikë në korrik miratuan një taksë të përkohshme prej 25% për prodhuesit e naftës dhe gazit në Detin e Veriut që pritet të mbledhë 5 miliardë paund në një vit për të ndihmuar njerëzit që po luftojnë me rritjen e faturave të energjisë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.