Ndryshojnë kriteret për certifikimin e turizmit detar – Lehtësohen procedurat për operatorët që ofrojnë aktivitete lundrimi
Qeveria ka ndryshuar disa nga kriteret për certifikimin e operatorëve të turizmit detar, duke lehtësuar këtë proces. Bëhet fjalë për të gjitha subjektet që ofrojnë aktivitete lundrimi për qëllime turistike dhe çdo lloj veprimtarie të ngjashme, të cilët kanë detyrim ligjor të certifikohen.
Kështu, referuar udhëzimit të ri të botuar në Fletoren Zyrtare, kërkesa me dokumentacionin përkatës për tu pajisur me certifikatë, nuk depozitohet më dorazi pranë Ministrisë së Turizmi tdhe Mjedisit, por do të depozitohet online, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” dhe shqyrtohet nga Komisioni i Standardizimit të Veprimtarive Turistike. Nga ana tjetër, është reduktuar koha për shqyrtimin dhe kthimin e përgjigjes nga strukturat përgjegjëse.
Konkretisht, Komisioni, brenda 10 ditëve pune nga data e aplikimit dhe ngarkimit të dokumentacionit në portalin qeveritar “e- Albania”, nis shqyrtimin e kërkesës. Sipas udhëzimit, në qoftë se kërkesa e subjektit për pajisjen me certifikatë nuk është në përputhje me përcaktimet ligjore, Komisioni, brenda 5 ditëve pune nga data e shqyrtimit të kërkesës, njofton aplikuesin nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania, për plotësimin e dokumentacionit ose korrigjimin e pasaktësive dhe i cakton atij një afat prej 7 ditë pune për paraqitjen e dokumentacionit përkatës kërkesës”.
Udhëzimi përcakton se “Në përfundim të procesit të shqyrtimit, Komisioni i Standardizimit merr vendim për lëshimin ose jo të certifikatës “Operator i turizmit detar”. Vendimi i njoftohet kërkuesit nëpërmjet portalit qeveritar “e -Albania brenda 5 ditë pune nga data e marrjes së vendimit.
Në rastet kur komisioni refuzon kërkesën për pajisje me certifikatë, vendimi duhet të jetë i arsyetuar”. Për çdo ndryshim të të dhënave të operatorit të turizmit detar, subjekti është i detyruar, nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania, të informojë ministrinë përgjegjëse për turizmin. Për pajisjen me certifikatë, nevojiten të dhëna të detajuara mbi përfaqësuesin ligjor dhe subjektin.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.