Ngrihet Komiteti i Përbashkët i Industrisë që do të drejtojë procesin e matjes së audiencës!
Autoriteti i Mediave Audiovizive ka organizuar sot, tryezën e dytë me temë, “Matja e audiencës në tregun audioviziv shqiptar dhe modalitetet për realizimin e këtij procesi”. Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë drejtues të operatorëve që prodhojnë përmbajtje apo programe audiovizive dhe të agjencive të reklamave që operojnë në treg, në këtë takim të dytë është diskutuar konkretisht ngritja e Komisionit të Përbashkët të Industrisë, një organizëm që do të veprojë më tej për nisjen e procesit të matjes së audiencës.
Në hapje të takimit, Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi ka shprehur edhe një herë rëndësinë e një procesi të saktë dhe të besueshëm të matjes së audiencës, si një instrument i domosdoshëm për realitetin e tregut audioviziv shqiptar, i rëndësishëm për identifikimin e shtrirjes së ndikimit mediatik të OSHMA-ve në publikun e gjerë, por edhe për forcimin e transparencës së këtij tregu. Ajo ka theksuar se kjo është koha që ky proces të nisë dhe që më në fund edhe Shqipëria të hyjë në radhën e vendeve që e kanë përmbushur këtë detyrim.
Siç u vendos në tryezën e parë, të organizuar më 15 janar, takimi ka nisur me shembuj të marrë nga vende të tjera të rajonit dhe Europës, mbi metodologjinë e zbatuar në këto vende, në mënyrë që të zgjidhet varianti më i mirë dhe më i përshtatshëm për tregun audioviziv shqiptar. Sekretarja e Përgjithshme e AMA-s, Romelda Rapollari ka prezantuar për të pranishmit metodologjnë e përdorur në Bullgari, Austri, Spanjë, Maqedoninë e Veriut dhe Turqi.
Përtej specifikave organizative për secilin vend të studiuar, veçoritë e përbashkëta për të gjithë janë:
-vullneti i të gjithë (ose shumicës) të sektorëve të industrisë për të punuar së bashku për të prodhuar një studim të përbashkët të industrisë.
-fillimisht është ngritur një Bord Themelues/Grup fillestar Pune, i cili ka përcaktuar mënyrën e ngritjes dhe organizimit vendimmarrës dhe financiar të Komitetit të Përbashkët të Industrisë (KPI). Pjesë e Bordit Themelues me të drejtë vote, kanë qenë në shumicën e rasteve televizionet me shtrirje kombëtare dhe shoqata përfaqësuese të kompanive reklamuese dhe të kompanive të marketingut.
-Pas ngritjes dhe regjistrimit të Komitetit të Përbashkët, të njëjtët anëtarë të Bordit Themelues janë bërë pjesë edhe e Komitetit.
-Vendimmarrja e Komiteteve të Përbashkët funksionon kryesisht sipas parimit një anëtar/një vote, me shumicë të thjeshte dhe te cilësuar. Në të njëjtën formë merren vendimet edhe në strukturat e Bordit drejtues të KPI-së.
-Rregullatori nuk ka qenë pjesë e Komitetit të Përbashkët me te drejte vote.
Të pranishmit në tryezë kanë shprehur dakordësinë për realizimin e procesit të matjes së audiencës. Diskutimet janë përqendruar tek krijimi i Komitetit të Përbashkët të Industrisë, si një ent organizator, vendimmarrës dhe financiar i procesit të matjes së audiencës, dhe numri i anëtarëve të tij. Nga drejtuesi i Tv Klan, Aleksandër Frangaj është hedhur propozimi për krijimin e KPI-së me 9 anëtarë, ku të bëjnë pjesë 3 televizionet me licencë kombëtare private (Tv Klan, Top Channel, Vizion Plus), Televizioni Publik RTSH, përfaqësues të 3 televizioneve rajonale dhe dy nga shoqata e agjencive të reklamave.
Përfaqësuesit e tjerë të televizioneve me licencë kombëtare, si dhe përfaqësuesit e agjencive te marketingut kanë rënë dakord me këtë formulë. Këta të fundit do të diskutojnë mes tyre dhe do të zgjedhin vetë agjencitë pjesëmarrëse në KPI. Ndërsa përfaqësuesit e televizioneve rajonale kanë kërkuar më shumë kohë në dispozicion në mënyrë që të studiojnë rastet e vendeve të tjera dhe të ndajnë mes tyre se si do të vijojnë më tej, nëse do të pranojnë këtë formulë dhe si do të bëhet përzgjedhja e përfaqësuesve që do të jenë pjesë e KPI.
Në cilësinë e autoritetit rregullator të pavarur, AMA ka një rol nxitës në procesin e matjes së audiencës. Në këtë kuadër, Kryetarja Krasniqi, pasi ka vlerësuar bashkëpunimin me diskutime të të gjithë pjesëmarrësve, ka marrë përsipër që AMA të organizojë tryezën e radhës, kësaj here me përfaqësuesit e televizioneve rajonale, në mënyrë që edhe këta të fundit të vendosin se si do të organizohen mes tyre për pjesëmarrjen në Komitetin e Përbashkët të Industrisë.
Vlerësimi i shikueshmërisë është tregues i sasisë dhe përbërjes së audiencës për programet televizive. Me këtë informacion, OSHMA-të mund të rregullojnë përmbajtjen e programeve të tyre dhe oraret e transmetimit, në përgjigje të reagimit të audiencës. Realizimi i matjes së audiencës është domosdoshmëri për realitetin e tregut audioviziv shqiptar, si një instrument i rëndësishëm për identifikimin e shtrirjes së ndikimit mediatik të OSHMA-ve në publikun e gjerë, për forcimin e transparencës në tregun audioviziv, rritjen e shumëllojshmërisë së shërbimeve audiovizive etj.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.