“Normat e interesit do të mbesin të larta” – Masat e marra nga FED për luftën ndaj inflacionit dhe për zhvillimin ekonomik
Zyrtarët e Rezervës Federale janë të vendosur në luftën e tyre kundër inflacionit dhe presin që normat e larta të interesit të mbeten në fuqi, deri në momentin që do të ketë më shumë përparim. Të dhënat janë konfirmuar pas publikimit të procesverbalit të takimit të muajit dhjetor të bankës qendrore.
Në këtë takim norma bazë e interesit u rrit dhe gjysmë pikë përqindjeje, duke u vënë theksi në rëndësinë e mbajtjes së politikës kufizuese në fuqi në një kohë që inflacioni është ende në nivel rekord.
Në përmbledhjen e takimit thuhej ndër të tjera se pjesëmarrësit në përgjithësi ranë dakord se duhej ruajtur politika shtrënguese deri sa të dhënat të konfirmonin besimin se inflacioni është drejt rënies deri në 2%. Por një gjë e tillë do kohë që të ndodhë. Duke pasur parasyh nivelin rekord t ë inflacionit, u vendos se do të mbahej një qëndrim kundër zbutjes së parakohshme të politikës monetare.
Rritja e muajit dhjetor ishte më e fundit nga katër rritje të njëpasnjëshme të normës së interesit. Zyrtarët thanë gjithashtu se do të përqendroheshin te të dhënat ndërsa ecnin përpara duke konfirmuar nevojën për të ruajtur fleksibilitetin dhe opsionalitetin në lidhje me këtë politikë monetare.
Në procesverbal gjithashtu theksohej se do të ishte e rëndësishme të komunikohej qartë se një ngadalësim i ritmit të rritjes së normës nuk ishte një tregues i ndonjë dobësimi të vendosmërisë së komitetit për të arritur objektivin e tij të stabilitetit të çmimeve, apo një gjykim që inflacioni ishte tashmë në një rrugë të vazhdueshme rënieje.
Pas takimit, kryetari i Fed-it, Jerome Powell, tregoi se ndërkohë që ka pasur disa përparime në betejën kundër inflacionit, ai vuri re vetëm shenja ndalimi dhe priste që normat të mbahen në nivele më të larta edhe pas ndërprerjes së rritjeve.
Tregjet aktualisht janë duke vlerësuar çmimet me gjasat e rritjes së normës në total prej 0.5-0.75 pikë përqindjeje përpara se të ndalojnë për të vlerësuar ndikimin që rritjet kanë në ekonomi. Tregtarët presin që banka qendrore të miratojë një rritje me çerek pikë në mbledhjen e ardhshme, e cila përfundon më 1 shkurt.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.