Pagesat për energjinë e rinovueshme – Prodhuesit kërkojnë ndryshime në draft metodologjinë e ERE-s
Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme, AREA që përfaqëson prodhuesit në Shqipëri kërkon përmirësimin e draft metodologjisë mbi përcaktimin e detyrimit për energjinë e rinovueshme për t’u paguar nga konsumatorët fundorë të energjisë elektrike, të nxjerrë për konsultim publik nga Enti Rregullator i Energjisë.
Sipas shkresës së dërguar pranë ERE-s, shoqata shikon me shqetësim zhvendosjen e Marrëveshjeve për Blerjen e Energjisë drejt Operatorit të Energjive së Rinovueshme dhe mekanizmin e mbledhjes së fondeve prej këtij të fundit.
Ky shqetësim lidhet edhe me eksperiencën e mëparshme të Prodhuesve me Përparësi kur pagesat bëheshin nga KESH. Sipas Shoqatës, kalimi i kontratës me OSHEE dhe më pas me FTL ka rezultuar si vendimi më i mirë në lidhje me menaxhimin e pagesave, akteve të rakordimit të prodhimit mujor, etj.
Për këtë arsye, sugjerohet që Marrëveshjet për Blerjen e Energjisë, që këta operatorë kanë me shtetin, të kalohen te Operatori i Energjive së Rinovueshme, vetëm pasi ky i fundit të jetë konsoliduar si institucion, duke u njohur së pari me prodhimin, fluksin, disbalancat, problemet që hasin prodhuesit gjatë operimit sikurse janë ndërprerjet, etj.
Kjo duke marrë në konsideratë se ky institucion nuk është ngritur ende. Paralelisht, shoqata e prodhuesve i bashkëngjitet shqetësimit të furnizuesve në lidhje me parapagesat mujore, tremujore api vjetore, nëse Operatori i Energjive të Rinovueshme ka pamundësi fondesh.
Shoqata e konsideron sit ë padrejtë këtë parashikim e që mund të cenojë edhe pagesën në afat të prodhuesve me përparësi nga ana e Operatorit. Në përfundim, AREA kërkon konsultime publike për draft metodologjinë.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.