Paraja elektronike “tërheq” shqiptarët – Dyfishohet në 91,6 mld lekë vlera e transaksioneve krahasuar me 2022-shin
Krahas parasë së gatshme dhe kartave bankare, shqiptarët po “tërhiqen” gjithnjë e më shumë në jetën e përdtishme nga paraja elektronike. Por, çfarë janë transaksionet elektronike? Këto transaksione janë një formë pagese e ngjashme me pagesën me kartë bankare.
Ndryshimi qëndron në faktin se pagesat nuk kryhen përmes kartave dhe POS-eve si në rastin e sektorit bankar, por nëpërmjet infrastrukturës së institucioneve të licencuara të parasë elektronike.
Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se, gjatë vitit të kaluar u kryen mbi 10,2 milionë transaksione, në një vlerë rekord prej 91,6 miliardë lekësh. Numri i pagesave ka regjistruar një rritje të qendrueshme vit pas viti. Por, vlera e tyre ka qenë në një rritje eksponenciale, ku vetëm në vitin e kaluar u dyfishua krahasuar me 2022-shin.
Gjatë vitit 2023 në tregun financiar shqiptar ushtruan aktivitetin 9 institucione të parasë elektronike, nga 7 të tilla në fund të 2021-shit. Rritja e numrit të këtyre institucioneve ka ardhur edhe si efekt i miratimit të ligjit “Për shërbimet e pagesave”. Shtimi i institucioneve të parasë elektronike ka sjellë edhe një shtrirje më të gjerë të terminaleve që ato vënë në dispozicion të klientëve.
Përdorimi i parasë elektronike sjell lehtësi kryesisht për atë pjesë të popullsisë që nuk zotëron një llogari bankare. Avantazhet konsistojnë në rritjen e fleksibilitetit për kryerjen e pagesave, duke llogaritur shtrirjen e gjerë të këtyre institucioneve në vend, por edhe në një kosto më të ulët për pagesat, sidomos për gjobat, faturat utilitare mujore etj.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.